EURO 2012: Ukraina “ngel” ndaj Francës, Anglia eliminon Suedinë
Franca dhe Anglia kanë arritur fitoret respektive në grupin D duke qenë të fundit që luajnë ndeshjet e dyta të grupeve. Franca ka fituar ndaj Ukrainës me rezultatin 0 – 2 ndërsa Anglia ka marrë me vështirësi një fitore 2 – 3, duke lënë nordikët jashtë EURO 2012.
Ukrainë – Francë ka filluar nën rrebesh, erë dhe vetëtima. Arbitri hollandez ka ndalur lojën në minutën e pestë për ti lënë të gjithë në pritje me gati 1 orë. Gjatë gjithë kohës është punuar për kullimin e fushës për ta kthyer atë në kushtet optimal për të luajtur futboll.
Ashtu si pritej, ishte Franca ajo që zhvillonte lojën. Skuadra e Blanc kishte një skemë të qartë dhe dilte rrjedhshëm përpara. Ata janë shfaqur menjëherë të rrezikshëm me Benzema dhe më vonë Menez shënon, por goli anullohet për pozicion jashtë loje.
Pas një pjese të parë pa gola Menez shënon golin e parë në minutën e 53’ dhe Cabaye 3 minuta më vonë i jep sigurinë francezëve. Ukraina është më pak e kthjellët dhe ka humbur atë potencën e ndeshjes së shkuar me Suedinë. Franca kryeson grupin me 4 pikë, ndërsa Ukraina është në vendin e tretë me 3 pikë.
Angli – Suedi ishte ndeshja e mbrëmjes, të cilën e kanë fituar britanikët me rezultatin 2 – 3. Një ndeshje spektakolare. Carroll zëvendësonte sot Rooney, i pezulluar, dhe në mesin e pjesës së parë kalon në avantazh Anglinë.
Pjesa e dyta fillon me Suedinë në disavantazh, dhe në minutën e 48’ ata barazojnë pas një goditje dënime të kthyer në një rrëmujë në zonë. Mellberg barazon dhe më vonë shënon dhe golin e dytë pas një gabime në mbrojtjen e anglezëve. Suedia kryeson 2 – 1.
Hodgson hedh në fushën e lojës Theo Walcott, në vend të Milner, dhe djaloshi Arsenalit kthen ndeshjen në favorin e Anglisë. Shënon dhe jep assist për Welbeck. Anglia kryeon 2 – 3, merr 3 pikë dhe renditet në vendin e dytë me pikë të barabarta me Francën.
Vendet për kualifikim do të luhen ndërmjet 3 skuadrave, njëra do të mbetet jashtë, ndërkohë Suedia është skualifikuar pas humbjes së sotme. Në ndeshjen e ardhshme, Anglia do të përballet me Ukrainën, ndërsa Franca do e ketë më të lehtë me Suedinë.








