Prerja e pemëve, PS: Të nisin hetimet. Reagon bashkia
Pas reagimit të ambientalistëve për prerjen e pemëve në Parkun Kombetar në Liqenin Artificial të Tiranës kanë reaguar edhe këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak. Këshiltarët bashkiake socialistë i kanë kujtuar kryetarit të Bashkisë premtimin për një Tiranë të gjelbërt, ndërsa kanë kërkuar nga Prokuroria të nisë htimet për dëmin mjedisor.
“Kemi një sensibilitet të madh, një shqetësim të qytetarëve të Tiranës dhe organizatave ambientaliste, në lidhje me masakrën që ka ndodhur në Parkun Kombëtar të Liqenit në Tiranë, ku mijëra metra katrorë janë shkatërruar brenda një nate. Ne i kërkojmë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, të dalë menjëherë publikisht, të bëjë transparencë dhe të shpjegojë mbi çfarë baze ligjore, mbi çfarë akti e ka marrë këtë vendim? Ku janë bazuar autoritetet e bashkisë së Tiranës, që kanë ndërhyrë dhe kanë kryer këtë veprim që për ne konsiderohet antiligjor? I kërkojmë Prokurorisë së Tiranës të nisë menjëherë hetimet”, tha kryetari i grupit të këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi.
Bashkia ndërkohë sqaroi, pas denoncimit të ambjentalistëve, se prerja e pemëve është bërë për zgjerimin e rrugës së Elbasanit nga Fakulteti Ekonomik, deri në Sauk.
Reagon bashkia
Pas deklarates se keshilltareve socialiste ka reagur Bashkia e Tiranes, duke shprehur “keqardhjen që përpara interesit qytetar, PS ka zgjedhur konfliktin politik, të pavërtetat dhe abuzimin”.
“Zgjerimi i rrugës së Elbasanit është një prioritet për qytetin tonë, i cili vazhdon të vuajë pasojat e zhvillimit të paplanifikuar. Zgjerimi i rrugës së Elbasanit do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes, do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të Tiranës, do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së qytetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Këto janë interesat e qytetarëve të Tiranës. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka nisur punën për zgjerimin e kësaj rruge, një arterie e rëndësishme kombëtare. Kjo rrugë, nga Fakulteti Ekonomik deri tek rreth – rrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7km do të jetë me 6 korsi 2x8m, me trafikndarëse prej1.5m, ku është parashikuar dhe gjelbërim, si dhe me trotuarë në të dy anët e rrugës”, thuhet ne njoftimin per shtyp.
“Gjithçka është bërë në përputhje me ligjin dhe interesat e qytetarëve. I bëjmë thirrje PS, të ndalë frymën e konfliktit politik dhe të orientohet drejt interesit të qytetarëve të Tiranës dhe mbarë shqiptarëve që përdorin infrastrukturën e kryeqytetit”.



