Bashkia e Tiranës: Zgjerimi i rrugës së Elbasanit, lehtëson trafikun
Bashkia e Tiranës ka reaguar sot sërisht përmes një deklarate për shtyp në lidhje me projektin për zgjerimin e rrugës së Elbasanit. Bashkia thekson se zgjerimi i rrugës së Elbasanit është një prioritet për qytetin tonë, i cili vazhdon të vuajë pasojat e zhvillimit të paplanifikuar.
“Zgjerimi i rrugës së Elbasanit do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes, do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të Tiranës, do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së qytetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Këto janë interesat e qytetarëve të Tiranës”, thuhet në deklaratë.
Sipas bashkisë, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka nisur punën për zgjerimin e kësaj rruge, një arterie e rëndësishme kombëtare. “Kjo rrugë, nga Fakulteti Ekonomik deri tek rreth – rrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7 km do të jetë me 6 korsi 2x8m, me trafikndarëse prej 1.5m, ku është parashikuar dhe gjelbërim, si dhe me trotuarë në të dy anët e rrugës”, shprehet Bashkia e Tiranës.





