Basha takon Whitmore: Dëgjimi i zërit të qytetarëve, prioritet

Presidenti i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës uron Kryebashkiakun Lulzim Basha, për zgjedhjen si Kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Keith Whitmore zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëherësh Kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, në të cilin është konfirmuar bashkëpunimi, edhe në rolin e Kryetarit të Shoqatës së Bashkive, edhe si kryetar i Bashkisë më të madhe në vend.

Basha shprehu angazhimin e tij për ta shndërruar këtë shoqatë në një kuvend, ku të diskutohet dhe bashkërendohen vendimet, se si t’u shërbehet më mirë dhe më me efiçencë qytetarëve. Ai tha se është i hapur për të bashkëpunuar me të gjithë të zgjedhurit vendorë, pavarësisht nën siglën e cilës parti janë zgjedhur, pasi interesi i përbashkët është përmirësimi i jetës së qytetarëve, pavarësisht se në cilën njësi të qeverisjes vendore ata gjenden.

Basha u shpreh i bindur se zëri i përbashkët i të zgjedhurve vendorë do të dëgjohet më fuqishëm se sa ai individual i gjithësecilit prej kryetarëve të bashkive. Whitmore ka vlerësuar këtë vizion të zotit Basha, për të drejtuar shoqatën e bashkive dhe u shpreh i sigurt për suksesin  e kësaj shoqate, nën drejtimin e zotit Basha.

Gjatë takimit, Kryetari i Bashkisë e ka njohur me prioritetin e tij, për të përfshirë qytetarët në vendimarrje. “Dëgjimi i zërit të qytetarëve dhe pjesëmarrja e tyre në vendimarrje ka qenë një angazhim që në fushatën elektorale dhe kjo jo thjesht dhe vetëm për të tërhequr votues, por sepse unë besoj fuqimisht se në këtë mënyrë projektet dhe vendimet tona do të jenë ato të duhurat për qytetarët dhe do të mundësojnë arritjen e objektivit tonë, për përmirësimin e cilësisë së jetës së bashkëqytetarëve tanë”, tha Basha.

Ai bëri gjithashtu të ditur, se një rubrikë e re funksionon në faqen zyrtare të Bashkisë, “Rregulloj Qytetin Tim”, ku çdo qytetar i Tiranës mund të shprehë shqetësimin për problemin që e shqetëson në rrugët apo lagjen e tij.

Whitmore e konsideroi një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, marrjen e Presidencës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës si dhe ka uruar zotin Basha, për këtë sukses të Shqipërisë.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard