Hoxhaj: Serbia nuk po ndryshon

Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për agjencinë e lajmeve bullgare “Focus”, ka theksuar se deklaratat e fundit të presidentit të sapozgjedhur të Serbisë, Tomisllav Nikolic, japin shenja shumë negative për Kosovën dhe Ballkanin.

“Unë mendoj se politika e mosnjohjes së Serbisë ndaj Kosovës dhe mostrajtimi i Kosovës si një shtet fqinj dhe partner i barabartë e kthen Serbinë në ideologjinë e njëjtë që prodhoi luftëra dhe spastrim etnik në Kosovë në 1999, ku më shumë se një milion njerëz u dëbuan, mbi 12,000 u vranë, shumica e të cilëve ishin gra dhe fëmijë. Prandaj, politika e mosnjohjes së Serbisë ndaj Kosovës dhe qëllimi i pengimit të konsolidimit ndërkombëtarë të shtetësisë dhe anëtarësimi në OKB është e njëjtë me ideologjinë për Serbinë e madhe, karakteristikë e viteve të nëntëdhjeta dhe e politikave të spastrimit etnik. Kjo demonstron një mungesë të respektit për dinjitetin e viktimave dhe atyre që shpëtuan gjatë luftërave të fundit në Jugosllavi si dhe një mungesë të përkushtimit drejtë paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, tha Hoxhaj.

Në pyetjen nëse ndarja e Kosovës edhe më tej përbën rrezik, ministri Hoxhaj tha se kufijtë në Ballkan janë vendosur dhe askush nuk mund t’i ndryshojë ata. Sipas tij, ideja e ndarjes, e promovuar nga disa politikanë në Beograd, të cilët nuk përkrahen nga bashkësia ndërkombëtare dhe elitat politike në Ballkan, janë shumë të rrezikshme, ngase ajo mund të hap kutinë e Pandorës, të jo stabilitetit, të pasigurisë dhe dhunës.

“I gjithë rajoni mund të kthehet në situatën që kemi pas në vitet e 90-ta. Asnjë shtet në Ballkan nuk është shtet homogjen dhe ndarja e Kosovës mund të ketë efekte domino në shumë shtete tjera të rajonit”, ka paralajmëruar Hoxhaj, duke shtuar se Kosova ka ndërruar politikën e konfrontimit me atë të pajtimit dhe bashkëpunimit.

Duke folur për procesin e integrimeve evropiane të Kosovës, kryediplomati Hoxhaj ka thënë së edhe me histori, edhe me gjeografi dhe me kulturë, Kosova është shtet evropian. Sipas tij, qëllimi kryesor i Kosovës është integrimi në strukturat euroatlantike. Ai ka shtuar se me shumë përkushtim, optimizëm dhe vetëbesim, Qeveria është duke punuar fortë për të arritur këtë objektiv.

“Por, implementimin e reformave në frymën dhe standardet evropiane nuk e bëjmë vetëm për shkak të integrimeve evropiane, por për shkak vullnetit tonë të fortë për të ndërtuar një shtet modern dhe funksional”, ka thënë Hoxhaj.

Leave a Reply

Log in | Designed by GSC