21 vjet PS, Rama falenderon Ruçin. Nano i paftuar në ceremoni

Të integrojmë Shqipërinë në BE si u integrua në NATO. Ky ishte mesazhi i përcjellë nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në ceremoninë e mbajtur në kuadër të 21 vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste. Me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë të PS-së, përfaqësues të shoqërisë civile, Ambasadorë, socialistët kremtuan 21 vjetorin e themelimit, por pa pasur të pranishëm ish-kreun e tyre, Fatos Nano. Ky i fundit nuk ishte ftuar nga selia rozë, ndonëse bashkë me Dritëoro Agolliin, Servet Pëllumbin, dhe figura të tjera shndërruan Partinë e Punës në Partinë Socialiste të Shqipërisë. Në një fjalë të shkurtër, Rama e konsideroi PS si forcën politike më të madhe në vend, ndërsa shtoi se udhëheqja e kësaj partie gjendet në një periudhë sfidash. Më poshtë po japim të plotë fjalën e Edi Ramës.

Ju falenderoj të gjithëve për praninë tuaj këtu. Më lejoni që në emrin e të gjithë familjes sonë të madhe dhe të të pranishmëve këtu të falenderoj disa miq shumë të çmuar, përfaqësues të miqve dhe të aleatëve të mëdhenj të Shqipërisë e po ashtu edhe miq të nderuar dhe të respektuar të Partisë Socialiste.

Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara. Mirëserdhët! Ambasadorin e Bashkimit Europian. Mirëserdhët! Ambasadorin e Italisë. Mirëserdhët.

Takova edhe ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës, mirëserdhi. Dhe të gjithë të tjerët që na kanë nderuar sot në këtë përvjetor të 21 të Partisë Socialiste. Unë ndjehem i privilegjuar dhe krenar që kam detyrën e udhëheqjes së Partisë Socialiste në një periudhë sfidash të vështira për vendin, por nga ana tjetër ndihem shumë i priviligjeruar që kam në krah miq, shokë, shoqe, kolegë, kolege që ma bëjnë shumë të lehtë detyrën time. Për këtë arsye e shoh të udhës t’i falenderoj që të gjithë dhe të gjitha deputetët dhe deputetët e Partisë Socialiste, për të cilët do të kërkoja një duartrokitje të merituar. Kryetarët dhe kryetaret e Partisë Socialiste në bashki dhe në komuna të vendit për të cilët do kërkoja gjithashtu një duartrokitje të merituar. E me radhë të gjithë të tjerët, për të përfunduar jo për nga rëndësia, po për tu dhënë një duartrokitje të veçantë edhe atyre që kanë nderuar me historinë dhe karrierën e tyre Partinë Socialiste nga profesor Rexhep Mejdani tek profesor Servet Pëllumbi e  me radhë që të gjithë të pranishëm ose jo këtu, të cilëve u shpreh mirënjohjen time më të thellë për gjithçka kanë bërë dhe njëkohësisht për vlerat dhe parimet që vazhdojnë të mbrojnë në funksion të përparimit të vendit dhe padyshim edhe të përsosjes së vazhdueshme të Partisë Socialiste.

 Më lejoni që pa u zgjatur shumë të sjell edhe njëherë në vëmendje sot në përfundim të kësaj dite të bukur për ne edhe 6 kandidatët dhe kandidatet për të drejtuar Forumin Rinor Eurosocialist të cilëve u shpreh të gjitha përgëzimet jo vetëm në emrin tuaj dhe të shumë të tjerëve, por edhe të shumë qytetarëve, që sot më kanë drejtuar mesazhe të shumta të mbresuar nga paraqitja, debati, idetë dhe njëkohësisht aftësia e tyre e spikatur për të folur në publik dhe për të komunikuar idetë dhe bindjet e tyre. i uroj nga zemra dhe i falenderoj nga zemra që sot në këtë ditëlindje të 21 të Partisë Socialiste i dhanë familjes sonë të madhe politike një kartolinë të gjallë, një kartolinë të bukur, një kartolinë plot shpresë dhe plot dritë për të vërtetën e madhe se jo vetëm kjo është forca më e madhe politike në Shqipëri por se kjo është e vetmja forcë politike në Shqipëri ku ka përsosje të vazhdueshme dhe ripërtëritje të vazhdueshme të gjeneratave në shenjën e respektit për njëri tjetrin dhe sigurisht edhe në shenjën e dallimit nga njëri tjetrit përmes të menduarit të lirë, përmes ballafaqimeve të lira, përmes të bashkëjetuarit në një hapësirë ku secili ka lirinë dhe individualitetin e vet.

 Duke e mbyllur do të doja që t’i shprehja në mënyrë të posaçme mirënjohjen, respektin, dashurinë një miku, një bashkëpunëtori, një kolegu për të cilin gjithmonë do të ruaj çka më të mirën mund të ruhet në zemër në raport me një familje të madhe politike dhe ky është Kryetari i Grupit Parlamentar. Edhe njëherë faleminderit. Gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste dhe jam shumë i kënaqur që ka ardhur dita kur “armiqve amerikanë” mund t’i urojmë Gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste dhe njëkohësisht edhe social imperialistëve të tjerë Gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste këtu, në këtë oborr, për të kremtuar jo vetëm një ditëlindje, por edhe të gjitha vlerat, parimet dhe bindjet tona të palëkundura për ta çuar Shqipërinë përpara, për ta integruar plotësisht në Familjen Europiane, ashtu siç u integrua edhe në NATO.

Faleminderit që të gjithëve.

 

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Komentoni »

Log in | Dizenjuar nga GSC