Matura Shtetërore 2012, nis provimi i Letërsi-Gjuhë Shqipe
Mbi 49 mijë maturantë po i nënshtrohen provimit të parë të Maturës Shtetërore 2012, atij të Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kërkuar nga maturantët të jenë të kujdesshëm në përmbushjen e kritereve të përcaktuara në rregullore, në mënyrë që të mos rrezikojnë hyrjen në provim, pasi në të kundërt humbasin të drejtën e konkurrimit për pranimet në shkollat e larta publike gjatë vitit të ri akademik.
Provimi mbahet vetëm në institucionet e arsimit publik nëtë gjithë vendin, ndërsa nis në orën 10.00 dhe zgjat për një periudhë kohore prej 2 orë e 30 minuta.
Teza e provimit edhe për këtë vit ndahet në dy pjesë, ku përfshihet testimi i njohurive për dy fragmentet e shkëputura nga veprat e autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Testi do të ketë në përbërje fragmente nga tekste të ndryshme (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës/argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik), jo domosdoshmërisht të punuara në klasë. Njëra nga pyetjet me zhvillim është ese. Për të marrë vlerësimin maksimal, maturanti duhet të mbledhë 50 pikë.
Sa i takon korrigjimit të testit të Letërsisë, pyetjet me alternativa do të vlerësohen me zero dhe një pike, kur maturanti ka rrethuar përgjigjen e saktë. Për pyetjet me zhvillim, çdo përgjigje korrigjohet me kujdes edhe në rastet kur maturanti ka ndjekur rrugë tjetër nga ajo e përcaktuar. Për esenë vlerësimi bëhet në varësi të shtjellimit të idesë, organizimit dhe strukturës, stilit e origjinalitetit si dhe saktësisë gjuhësore.
Pas provimit të Gjuhë Shqipe-Letërsi, do të jetë ai për Matematikë data 16 qershor dhe për Lëndët me Zgjedhje, data 30 qershor. Ndërkohë, maturantët mbetës kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë.






