Sa ju kushton duhanpirja?

Duhanpirja shkakton jo vetëm dëmtim të mushkërive, të zemrës, sëmundshmëri e përkeqësim të astmës, por edhe shkatërrim të pamjes së jashtme; të paraqitura këto në një ekspozitë sensibilizuese për dëmet e duhanit në sheshin kryesor të Tiranës, atë Skënderbej. “Jemi në ditën që tërheqim vëmendjen. Këtu janë vendosur një seri posterash që flasim më shumë më shumë se çdo gjë tjetër dhe ku qytetarët të kuptojnë qartë dëmet e forta nga duhani, të kuptojnë shkallën ë dëmit dhe të kuptojnë se është shkaktari i sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerogjene; të bëjnë zgjedhjen e tyre para shëndetit dhe vdekjes së sigurtë”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Në vend, sipas të dhënave përllogaritet që duhanpirja të arrijë në rreth 40 %, ose 950 mijë duhanpirës.  Ndërsa vihet re një rritje e dukshme e femrave duhanpirëse, por edhe e të rinjve. Nga ana tjetër, edhe pse ligji që ndalon pirjen e duhanit në ambjente publike ka hyrë në fuqi që prej vitit 2007, pak kush e zbaton atë. Ligji konsiderohet i mirë, por edhe i zbatueshëm, por sipas ekspertëve, duhet që Inspektoriati Sanitar, përgjegjës për zbatimin e tij, të marrë masa në këtë drejtim.

Dëmet shëndetësore

Rreth 3 mijë shqiptarë vdesin çdo vit nga sëmundje të lidhura me duhanpirjen, aktive apo pasive. Ndërkohë, 18 % e sëmundjeve që shkaktojnë vdekje në moshën mbi 30 vjeç në Shqipëri vjen si pasojë e konsumimit të duhanit, por dhe duhanpirjes pasive, qëndrimit në ambiente ku konsumohet duhan.  Shifrat vijnë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që ka realizuar për herë të parë një studim në vendin tonë për nivelin e vdekshmërisë si pasojë e duhanpirjes aktive dhe asaj pasive.  Studimi ka nisur në vitin 2004. Por, duhanpirja është shkak dhe i sëmundjeve të lidhura me të, sikurse sëmundjet tumorale, sëmundjet kardiovaskulare, etj.  Kështu, kanceri në mushkëri i shkaktuar nga duhani është një nga arsyet kryesore të vdekjeve në Shqipëri. Nga raporti i fundit i OBSH, brenda 5 viteve ka patur 2565 vdekje nga kanceri ne mushkëri, nga të cilat 1655 janë meshkuj dhe 915 femra.

Ndërkaq, duhanpirja është shkaktar dhe i sëmundjeve të gjakut, preket sistemi kardiovaskular, etj. Të dhënat më të fundit mbi vdekshmërinë në një vit nga kanceri tregojnë se ky numër është 4-fishuar, pasi përllogatitet se janë 2565 shqiptarë që humbin jetën në vit nga kjo sëmundje. “Gjithsej numri i të vdekurve me sëmundjen e kancerit atribuar duhanit është 1197. Vdekje të shkaktuara nga qarkullimi i gjakut, nga sëmundjet e zemrës, 4500 janë meshkuj dhe 4476 femra. Në bazë të të dhënave të OBSH-së,1800 persona janë viktima të duhanit”, thotë Roland Shuperka, specialist i duhanit në  Institutin e Shëndetit Publik.

Shpenzimet për duhanin

Por duhanpirja veç dëmeve shëndetësore, u rëndon shumë edhe xhepave të familjeve shqiptare. Kështu, një duhanpirës, në 40 vite harxhon 3 milion lekë, nëse do të konsomunte 1 paketë/ditë, nëse do të konsumonte 2 paketa cigare, shifra do të arrinte në 5.8 milion lekë. Vetëm në një muaj, një duhanpirës shpenzon minimuni, nëse konsumon gjysëm pakete, 3.1 mijë lekë dhe maksimalisht, nëse konsumon 3 paketa, shpenzon 18.6 mijë lekë. Të dhënat tregojnë se për 10 vjet, një duhanpirës që konsumon vetëm gjysmën e paketës harxhon 362 mijë lekë, ndërsa ai që pi regullisht duhan dhe konsumon rreth 3 paketa në ditë paguan nga xhepi 2.196 milion lekë.

Shqiperia renditet ne vendet me shifra te larta te duhanpirjes. Sipas të dhënave përllogaritet që duhanpirja të arrijë në rreth 40 %, ose 950 mijë duhanpirës.

Duhanpirja tek femrat  

Të dhënat nga Studimi Demografik dhe Shëndetësor 2008-2009 tregojnë se te gratë pirja e duhanit është e përqendruar tek ato që jetojnë në Tiranën urbane në masën 14 %, tek femrat me universitet ose arsim të lartë, 15 % dhe tek ato me indeksin më të lartë të pasurisë, 12 %.  Niveli i duhanpirjes për femrat është më i lartë për grupmoshën 20-24 vjeç, në masën 7 %, dhe 25-29 vjeç, 10 %, ndërkohë që është 4 % më i ulët në grupmoshat më të mëdha, çka tregon se duhanpirja mes femrave është një dukuri e përhapur relativisht kohët e fundit.

Mes femrave që aktualisht pijnë cigare, më shumë se gjashtë në dhjetë (61 %) raportuan se kishin pirë 10 ose më shumë cigare në 24 orët e fundit. Kjo përqindje është më e larta mes fermave në moshën 25-29 vjeç (70 %), mes atyre që jetojnë në zonat urbane (67 %) dhe në Tiranën urbane (83 %), mes femrave me arsim universitar, ose më të lartë (74 %) dhe mes atyre me nivelin më të lartë të pasurisë (93 %). Përqindja e femrave që janë duhanpirëse aktualisht është rritur nga 3 % që ishte në 2002, në 4 % në 2008-09.

Duhapirja tek meshkujt

Nivelet më të larta të duhanpirjes për meshkujt gjenden mes atyre që jetojnë në rajonin malor, 46 % dhe meshkujve pa arsim apo me arsim fillor 4-vjeçar, 59 %. Ndërkohë, nuk ekzistojnë dallime të forta në nivelet e duhanpirjes, sipas vendbanimit urban-rural dhe niveleve të pasurisë.    Për meshkujt, nivelet e duhanpirjes rriten me moshën, duke arritur në masën prej 56 % mes meshkujve në moshës 30-34 vjeç; pas kësaj moshe mbetet në nivel të ngjashëm, 53 deri 55 %, duke treguar që nivelet e duhanpirjes mes meshkujve nuk kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore gjatë viteve të fundit.

Mes meshkujve që pijnë cigare, më shumë se nëntë në dhjetë (93 %) raportuan se kishin pirë më shumë se 10 cigare në 24 orët e fundit. Nuk ekzistojnë dallime të forta në përqindjen e meshkujve që pijnë 10 ose më shumë cigare në ditë dhe karakteristikave të ndryshme të përzgjedhura, përveç grupmoshës 15-19 vjeç, e cila karakterizohet nga një përqindje shumë më e ulët e atyre që pijnë 10 ose më shumë cigare (72 %) se sa grupmoshat e tjera (91-97 %).

Ndërkohë, vihet re rënie e ulët e nivelit të duhanpirjes tek meshkujt, ku përqindja e atyre që pijnë cigare ka rënë nga 46 % në 2002, në 43 % në 2008-09.

Mosha mesatare e nisjes së duhanpirjes

Mosha mesatare, në të cilën femrat dhe meshkujt fillojnë të pijnë duhan, është përkatësisht 21.1 dhe 19.2 vjeç. Femrat e zonave urbane (21.0 vjeç), ato në Tiranën urbane (20.5 vjeç), me arsim universitar ose më të lartë (20.6) dhe ato në treguesin më të lartë të pasurisë (20.6 vjeç) kishin filluar duhanpirjen në një moshë më të re mesatarisht se sa ato nga grupe të tjera.

E kundërta është për meshkujt; meshkujt nga zonat urbane (mosha mesatare 19.5 vjeç), ata me arsim universitar ose më të lartë (20.1 vjeç) dhe ata nga niveli më i lartë i pasurisë (20.0 vjeç) priren të fillojnë duhanpirjen më vonë se sa të tjerët.  Specialistët vërejnë se mosha në të cilën femrat dhe meshkujt fillojnë duhanpirjen po ulet. Kështu, mosha mesatare në të cilën meshkujt kishkin filluar duhanpirjen ka rënë me më shumë se 2 vjet, nga 20.4 vjeç mes meshkujve në moshën 45-49 vjeç, krahasuar me 18.2 vjeç për ata në moshën 20-24 vjeç. I njëjti model vëzhgohet edhe mes femrave, edhe pse shifrat janë relativisht të vogla.

Sa i përket lënies së duhanit, të dhënat tregojnë se tri në pesë femra (60 përqind) dhe dy të tretat e meshkujve (67 përqind) duhanpirës ishin përpjekur ta linin duhanin gjatë vitit të kaluar. Për femrat, ato që jetojnë në zonat urbane dhe në Tiranën urbane, femrat me arsim universitar ose më të lartë dhe ato nga kuintili më i lartë i pasurisë, kishin më pak gjasa të përpiqeshin ta linin duhanin.  Nga ana tjetër, meshkujt që jetojnë në zonat urbane, ata që jetojnë në Tiranën urbane dhe rajonin malor, si dhe ata me arsim universitar, ose më të lartë, kishin më shumë gjasa të përpiqeshin ta linin duhanin se sa meshkujt e tjerë.

Faktet kyçe të duhanit

Përdorimi i duhanit është një nga kërcënimet më të mëdha të shëndetit publik që bota ka hasur ndonjëherë.
Globalisht, përdorimi i produkteve të duhanit është duke u shtuar.
Epidemia është duke lëvizur në botën në zhvillim.
Më shumë se 80% te duhanpirësve jetojnë në shtete me fitime të ulëta, ose të mesme.
Përdorimi i duhanit vret 5.4 milionë njerëz në vit, mesatarisht një person çdo sekondë, dhe llogaritet që 1 në 10 të rritur të vdesë në botë. Duhani vret gjysmën e përdoruesve të tij.
Pirja e duhanit është një faktor rreziku për 6 nga 8 shkaktarët kryesorë të vdekjeve në botë.
100 milion vdekje janë shkaktuar nga duhani ne shek. XX. Nëse tendenca aktuale vazhdon, do të rritet në 1 miliard vdekje në shek. XXI.
Vdekjet e lidhura me duhanin do të rriten më shumë se 8 milionë në vite nga 2030 dhe 80 % e këtyre vdekjeve do të ndodhin në botën e zhvilluar.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Log in | Dizenjuar nga GSC