Bursa studimi në Itali për vitin shkollor 2012-2013, kriteret qe duhet plotësuar dhe tarifa

Ministria e Punëve të Jashtme italiane ka ofruar për shtetasit shqiptarë bursa studimi – për një total prej 111 muajsh (620 Euro/muaj)  për vitin shkollor 2012 – 2013. Periudha e përftimit të bursës është e kufizuar me kohëzgjatjen e vitit shkollor 2012/2013, pra nga data 1 tetor 2012 deri në datën 30 shtator 2013. Proçedura e paraqitjes së kërkesës për bursë studimi nga ana e kandidatëve është informatizuar tërësisht. Afati i fundit për përcjelljen elektronike të formularit  online është data 11 qershor 2012.

Kandidati duhet të plotësojë formularin interaktiv në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane: http://borseonline.esteri.it/borseonline/it/activate.asp

Formularit online duhet t’i bashkëngjitet në mënyrë elektronike një kopje e pasaportës . Kandidatët që kanë përfunduar procedurën e përshkruar më lart, do të kontaktohen dhe do t’u kërkohet që të dërgojnë në Institutin e Kulturës Italiane në Tiranë  dokumentet e mëposhtme:

1. Formulari i kërkesës, i nënshkruar duke vendosur datën, bashkangjitur një fotografi në format pasaporte (do të jetë e mjaftueshme të shtypet formulari i plotësuar tashmë online);

2. Kurrikulumin e studimeve të kryera (jo më tepër se 2 faqe), si dhe titujt shkencorë të mundshëm;

3. Për  nëpunësit publikë (përfshi këtu profesorët e universiteteve) njoftimi nga funksionari prej të cilit varen drejtpërdrejtë (Shefi i Katedrës apo Departamentit, Drejtori i Entit, etj.) me anë të së cilës motivohet kërkesa për bursë;

4. Certifikatë e mundshme (ligjërisht e njohur nga Shtetit Italian) që vërteton njohjen e gjuhës italiane. Paraqitja e kësaj certifikate është fakultative, por përbën përparësi  në përzgjedhjen e kandidatëve;

5. Letër reference për kandidatin prej docentit referues.  Vini re: për kandidatët në kurse universitare të nivelit të parë, nevojitet letër reference nga Drejtori i Shkollës së Mesme që ka ndjekur kandidati ose nga profesori/ja i/e tij kryesor; për kandidatët në kurset universitare të nivelit të dytë, Master ose Doktoraturë, nevojitet një letër reference nga ana e të paktën një Autoriteti Akademik shqiptar (p.sh. Rektori, Dekani ose Drejtori i Departamentit).

Kandidatët për kurset universitare të nivelit të dytë, Master dhe Doktoraturë,  duhet të paraqesin gjithashtu edhe dokumentet që vijojnë:

1. Përshkrim i Projektit, i kujdesshëm dhe i hollësishëm (1 faqe), që kandidati synon të realizojë, duke saktësuar emrin e institucionit pranë të cilit dëshiron të kryejë veprimtarinë e tij, si edhe kontaktet me personalitete shkencore dhe akademike.

2. Letër e një profesori apo eksperti italian, i gatshëm të ndjekë kandidatin në veprimtaritë e parashikuara në projekt. Sigurisht duhet të jetë docent ose ekspert  përgjegjës i Institutit universitar apo Shkencor italian ku kandidati synon të zhvillojë aktivitetin e parashikuar në projektin e tij. Letra duhet gjithashtu të jetë e plotësuar në kartë me stemën e institucionit, me vulë dhe firmë të gjatë (nuk pranohen as siglat dhe as firmat me prokurë); me emrin, mbiemrin dhe telefonin e atij që firmos, për të lejuar verifikimin në rast se dyshohet për vërtetësinë e saj. Instituti Italian i Kulturës në Tiranë do të ofrojë ndihmesë në përpilimin e kërkesave dhe në përcaktimin e institucioneve pranë të cilave mund të përftohet bursa, si dhe do të vlerësojë nëse njohuritë në gjuhën italiane janë të përshtatshme për të përfituar nga periudha e studimit.

Këto bursa studimi mund të kryhen në Itali pranë Institucioneve Universitare dhe Shkencore për zhvillimin e veprimtarive që vijojnë: kërkime, kurse universitare e  pasuniversitare (Doktoratura, Master, Specializime me përjashtim të degëve mjeksore), kurse të  ndryshme (pranë Akademive, Konservatorëve, Shkollës Kombëtare të Kinematografisë) për një kohëzgjatje prej 3, 6, 9 apo 12 muajsh, si dhe kurse të gjuhës dhe kulturës italiane për mësues të gjuhës italiane për një periudhë prej 1, 2 apo 3 muajsh.

Gjithashtu, një kujdes i veçantë do t’i kushtohet projekteve kërkimore të bazuara në bashkëpunimin dypalësh mes dy vendeve në këta sektorë: Gjuhë dhe Kulturë italiane; Bashkëpunim  ekonomik; Historia e marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë; Arkeologji; Muzikë e  veprimtari artistike; Urbanistikë dhe Arkitekturë; Risi Teknologjike; Turizëm dhe Eko Turizëm; Shëndeti Publik.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Log in | Dizenjuar nga GSC