Te lire nga nderhyrjet e Shtetit!

Eugen Wollfarth

Të Drejtat e Njeriut përbëjnë një çështje kyçe për Prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Është kënaqësi e madhe për mua të kem mundësinë ta shfrytëzoj këtë rast për të folur me ju në lidhje me një pjesë të rëndësishme të jetës dinjitoze të njeriut.

Për t’i gëzuar plotësisht të drejtat tona të brendshme të njeriut, ne duhet të përfitojmë nga liritë themelore. Në kontekstin e një kuadri ligjor demokratik, duhet të jemi të lirë nga ndërhyrjet e Shtetit, por të lirë edhe nga ndërhyrjet e atyre që mund të mos kenë të njëjtat pikëpamje apo besime me ne. Aty ku këto liri janë hequr, aty ku njeriu nuk mund të mendojë, të shkruajë apo të veprojë lirisht, ndërkohë që respekton të drejtat e të tjerëve, dinjiteti njerëzor është në rrezik dhe, në fund, një mungesë e tillë lirie rrezikon e madje i jep fund paqes.

Shkelje të rënda të të drejtave të njeriut të natyrës më të dhunshme kanë karakterizuar pjesën më të madhe të historisë së njerëzimit. Në shekullin XX filluan të zhvillohen mekanizma ndërkombëtarë, rajonalë dhe kombëtarë për të mbrojtur të drejtat themelore të të gjithë njerëzve, pavarësisht vendit ku ata jetojnë. Qysh atëherë, qasja ndaj mbrojtjes së të drejtave të njeriut ka ecur përpara, gama e tyre është zgjeruar. Në Shekullin XXI, të Drejtat e Njeriut janë bërë një pjesë e pandashme e politikave të shteteve dhe marrëdhënieve ndërkombëtare – të paktën për shumicën e shteteve. Kjo lidhet me pranimin e mbrojtjes së plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut si garantuesja e vetme e një paqeje të përhershme.

Ky koncept është një ndër shtyllat kryesore në themel të punës së OSBE-së për ruajtjen e marrëdhënieve paqësore në të 56 shtetet e saj anëtare. OSBE-ja është një organizatë sigurie që merret me çështjet e sigurisë ushtarake, çarmatimin dhe çështjet kufitare. OSBE-ja e konsideron sigurinë si më shumë sesa thjesht mospasje lufte. Ajo çka e bën të veçantë OSBE-në është dimensioni njerëzor, të kuptuarit se nëse nuk respektohen të drejtat e njeriut, dinjiteti i individit, shteti i së drejtës dhe një perspektivë demokratike, nuk mund të ndërtohet kurrë një siguri jetëgjatë – sa në një shoqëri, aq edhe midis kombeve. Bazuar në këtë koncept të gjerë mbi sigurinë, një kuadër gjithëpërfshirës për paqen dhe stabilitetin në Evropë kërkon ruajtjen e të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Kjo është pikërisht fusha ku OSBE-ja dhe shtetet pjesëmarrëse – të tjerë do të thoshin shtetet anëtare të OSBE-së – janë të angazhuar dhe aktivë – edhe në Shqipëri.

Në Shqipëri, Prezenca e OSBE-së ofron mbështetje për përmbushjen e angazhimeve të OSBE-së të Shqipërisë dhe, veçanërisht, për forcimin e mbrojtjes së të drejtave të individit. Mbrojtja e të drejtave të njeriut përfshin ofrimin e një mekanizmi për mbikëqyrjen e zbatimit të parimeve të të drejtave të njeriut. Kushtetuta shqiptare ngriti Zyrën e Avokatit të Popullit për të “mbrojtur të drejtat, liritë dhe interesat legjitimë të individëve”, duke i dhënë asaj kompetenca të gjera hetimi dhe të drejtën për të bërë rekomandime në rastin e konstatimit të cenimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky institucion, i mbështetur nga Prezenca e OSBE-së, ka fituar besimin e gjerë të publikut dhe ka kontribuar në përgjegjshmërinë e institucioneve shtetërore shqiptare.
Përmes emërimit të një Avokati të ri të Popullit në dhjetor të vitit 2011, Zyra e Avokatit të Popullit i është rikthyer funksionimit të saj të plotë në detyrat e saj të mbrojtjes së të drejtave të gjithë atyre që jetojnë në Shqipëri, duke përfshirë edhe më të dobëtit. Prandaj, është thelbësore që zëri i Avokatit të Popullit të dëgjohet dhe që të gjitha institucionet shtetërore t’i zbatojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit për një situatë të përmirësuar të të drejtave të njeriut në praktikë.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i ka mbështetur institucionet e reja të pavarura të të drejtave të njeriut qysh nga krijimi i tyre. Së bashku me Avokatin e Popullit, Prezenca u përfshi plotësisht në hartimin e legjislacionit të ri kundër diskriminimit dhe e ka mbështetur Zyrën e Komisionieres për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Shumë nga projektet e Prezencës janë fokusuar në të drejtat e grupeve të dobëta, si projekti për të drejtën e romëve për të votuar, në të cilin romët u trajnuan po nga romët mbi rëndësinë e të votuarit dhe mënyrën e të votuarit. Ne kemi asistuar krijimin e Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve në gjithë vendin, dhe kemi mbështetur si fëmijët viktima të abuzimit, ashtu edhe fëmijët në konflikt me ligjin. Prezenca ndihmoi në hartimin e legjislacionit për dhunën në familje. Gjithashtu, ne publikuam fletëpalosje dhe broshura mbi dhunën në familje, duke i informuar viktimat rreth vendeve ku ato mund të marrin ndihmë dhe të kërkojnë zgjidhje – dhe këto janë vetëm disa shembuj.

Gjithashtu, Prezenca ka kryer projekte për rritur mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve. Për shembull, Prezenca botoi një përmbledhje legjislacioni në lidhje me të burgosurit, një kopje e së cilës iu dha çdo të ndaluari/të burgosuri; Prezenca vendosi edhe disa kuti të sigurta postare në çdo qendër të vuajtjes së dënimit, të cilat mund të hapen vetëm nga Avokati i Popullit, ku të ndaluarit mund të hedhin letrat ose ankesat e tyre. Ndoshta ajo çka është edhe më e rëndësishme është se Prezenca ka mbështetur krijimin e Shërbimit të Provës, i cili ndihmon në uljen e mbipopullimit të burgjeve, dhe që përmes masave të ri-integrimit dhe përfshirjes sociale të të dënuarve, ul shkallën e përsëritjes së krimeve, duke krijuar në këtë mënyrë një shoqëri më të sigurt për të gjithë. Një mekanizëm i ri i Mbikëqyrjes Elektronike i mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do t’i shërbejë më tej këtij qëllimi. Ne po punojmë ngushtë edhe me Policinë e Shtetit shqiptar, duke ofruar trajnime për të drejtat e njeriut dhe çështjet e diversitetit, si dhe duke marrë pjesë në rishikimin e kurrikulës së shkollës së policisë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Përmes asistencës së saj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka forcuar kështu mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe institucioneve në vend. Megjithatë, në një shtet të udhëhequr nga parimi i shtetit të së drejtës, le të mos harrojmë se u takon në radhë të parë gjykatave të gjejnë zgjidhje për rastet kur mendohet se janë shkelur të drejtat e njeriut. Për këtë arsye, mbështetja e Prezencës për një gjyqësor të pavarur, efiçent dhe transparent është e një rëndësie të veçantë, ashtu siç ju, si juristë të rinj të mbledhur këtu sot, me siguri e dini shumë mirë.

Jeni ju, brezi i ri i juristëve, që do t’i japin formë atyre ligjeve në të ardhmen, që do të ndihmoni për t’i mbrojtur edhe më mirë të drejtat themelore të të gjithë qytetarëve. Jeni ju që do të shqyrtoni çështjet dhe do të hartoni vendimet për ato palë para gjykatave tuaja, që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat. Jeni ju, që do të jeni pjesë e administratës publike, që do të garantoni se administrata publike në këtë vend u përmbahet parimeve të ligjshmërisë, transparencës dhe efiçencës, dhe se ligji zbatohet njëlloj për të gjithë. Integriteti juaj në ushtrimin e profesionit tuaj si juristë do të ndihmojë për garantimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të këtij vendi, këtij rajoni, të Evropës dhe gjithë globit. Ju uroj të gjithëve sukses në këtë detyrë të mrekullueshme dhe fisnike!

Fjala e mbajtur ne Konferenca Ndërkombëtare e Kërkuesve të Rinj në Fushën e Drejtësisë

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Log in | Dizenjuar nga GSC