Vjena, qyteti mbreteror mes Danubit Blu dhe muzikës klasike
Ka vetëm një qytet mbretëror dhe ky është Vjena…..Kështu tha dikur Johan Shtraus, mbreti i valsit që mahnit dhe sot në kryeqytetin austriak. Vjena është një ndër 10 qytetet më të mëdha nga popullsia në Bashkimin Europian, por me tepër sesa qendër kulturore, ekonomike dhe mikpritëse e shumë organizatave ndërkombëtare, të mahnit me bukurinë artekturore të stileve të ndryshme, mbretërore dhe moderne. Vjena ka një rrjet të gjerë transporti publike, me autobusë, trena, tramvaje dhe 5 linja metroje (U-Bahn), përmes të cilëve çdo vend është i arritshëm lehtësisht.
Dhe të gjitha vijnë si notat e Danubit Blu….Thonë se Shtrausi kompozoi “Danubin blu”, kushtuar lumit që përshkron mes për mes Vjenën, Budapestin, e mjaft kryeqyete të tjera evropiane, duke udhëtuar nëpër rrjedhën e tij. Nuk mund të humbasësh atë që frymëzoi Shtrausin teksa viziton Vjenën, ndërsa buzëmbrëja është më e magjishme me gjithë shkëlqimin e ndërtesave të pasqyruara mbi rrjedhën e Danubit.

Stephanplatz dhe Stefansdom, Katedralja e Shën Stefanit, ishte vendi i parë ku u ndalëm në Vjenë. Katedralja duket se qëndron aty si ‘dëshmitarja’ e historisë së Austrisë, ndërsa në shesh qëndron gjithçka bukur. Në të vërtetë, këtë shesh e vizituam shpesh, për shkak të lidhjes me ndërtesat dhe vendet që vizituam, por edhe për aktivitetet që të ofronte; njeriu i bardhë që fliste vetëm me tinguj zogjsh, vajza me veshje mondane vjeneze, por edhe të tjerë me veshje karakteristike të kohëve mesjetare, Arlekini, por edhe grupe të rinjsh që sillnin muzikë moderne…Por mund të shijosh dhe një udhëtim me karrocë me kuaj për të parë bukuritë e qytetit.
E ndërsa futemi në katedralen, me kulmin shumëgjyrësh me ornamente e me tjegulla në formë diamanti, pamja na la pa frymë; Shën Maria në mes të Shën Katerinës dhe Shën Barbaras, thjesht mahnitëse. Thonë se Bethoveni zbuloi shurdhërinë e tij kur pa pëllumbat që fluturuan nga tingulli i këmbanës që mbushte qiejt, por që ai nuk mundi ta dëgjonte…
Pasqyrimi i mozaikut, me ornamente e ngjyra luksi, me shqiponjën me dy koka, simbol i Perandorisë së Habsburgëve, në ndërtesën e xhamtë përballë, ishte mjaft tërqesës. Teksa largohemi nga katedralja, vizitojmë dyqanet me suvenire përgjatë rrugëve dytësore…
Por, që këtu nuk mund të largohesh pa provuar tortën e famshme vjeneze, Sachertorte, tortë me çokollatë e krijuar nga Hotel Sacher, por u kthyem sërish të shijonim edhe një strudel me mollë…..

Vetëm dy hapa më tej Statoper, Opera e famshme shtetërore. Por, Wiener Staatsoper është një nga shtëpitë dhe kompanitë e shumta të operës në Vjenë, ndërsa në trotuarin përpara ndërtesës janë dhe yjet me emrat e kompozitorëve dhe drejtuesve të Operas. Dhe duket se Mozarti ishte fatsjellës për operën që nisi punën me “Don Gionanni” e kompozitorit të famshëm në 1869; opera mbetet një magji, jashtë dhe brenda saj….që e shijojnë përmes TV të gjithë mëngjesin e parë të çdo Viti të ri. Shumë pranë ndërtesës, gjendet monumenti i Johann Shtraus, një ndër më të vizituarit.
Ringstraße
Dhe nëse udhëton përgjatë Ringstraße, mund të shikosh e shijosh ndërtesat më të bukura, si dhe parqet pranë tyre, përfshirë Rathaus, Bashkinë e qytetit, Universitetin, Parlamentin, kishën Votivkirche po në stilin gotik, etj.

Dhe para se të nisim rrugëtimin tonë, vizitojmë sheshin e Maria Therezës, në mes të së cilit qëndron statuja e Perandoreshës austro-hungareze, por dhe që bashkon Ringstraße me Museumsquartier. Përballë njëra-tjetër, dy ndërtesa identike; Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu i Historisë së Arteve, që kanë qenë më parë pallatet mbretërore, ndërsa tani mbajnë koleksione të famshme dhe tërheqëse.
Ndërsa pak më tej, në pallatin Hofburg gjendet Biblioteka Kombëtare e Austrisë, ku ndodhen koleksionet nga më të vjetra të dorëshkrimeve, librave të lashtë e të rrallë, harta, globuse, muzikë, portrete, grafika, foto, autografe dhe posterave, madje dhe mendime të kompozitorëve të famshëm. Përkrenarja origjinale dhe shpatat e Skënderbeut ishin motivi që na nxiti të vizitojmë këtë pallat të madhërishëm, që dukej se përfshinte gjithçka me krahët e hapur të tij.

Parlamenti, ndërtesa ansambël, shembull i ringjalljes greke dhe Pantheon, ka një shtrirje mjaft të gjerë dhe çdo anë e tij është e zbukuruar me skulptura. Por ajo që bie në sy është statuja e Athinës dhe burimi, në hyrje të ndërtesës, por edhe kollonat e larta. Shufrat e shtrira në këmbët e Athinës përfaqësojnë katër lumenjtë më të rëndësishëm të Perandorisë Austro-Hungarisë; Danubi, Inn, Elba dhe Moldau. Ndërsa në dorën e majtë mban një shtizë; të drejtën e saj. Ndërsa gjithçka, sallat dhe shtyllat, janë në mermer të bardhë…

Ngjitur me Parlamentin ndodhet Rathaus, ndërtesa e Bashkisë, një nga më të mrekullueshmet në Vjenë. Bashkia është e ndërtuar në stilin gotik, ndërsa kur e vizituam mbetëm të mahnitur nga emërimet e mrekullueshme të dhomave, me sfond dhe atmosferë në përshtaje me ngjarjet e ndryshme, qofshin këto konferenca shtypi, koncerte apo ballo. Në tavanet e zbukuruara me rozeta dhe afreske përshkruhen ngjarje nga historia e Austrisë dhe Vjenës, ndërsa në Sallën e Festivalit gjenden portretet e kompozitorëve të mëdhenj Mozart, Haydn, Gluck dhe Schubert, por dhe dhjetë statujat që përfaqësojnë figura të rëndësishme historike. Vizituam Arkadenhof , me një sipërfaqe prej 2804 metra katrore, një nga oborret e mëdha të brendshme në Evropë, por edhe Dhomën e Senatit, një ndër dhomat më mbresëlënëse.
Ndërsa në majë të kambanores (97,9 m e lartë) qëndron flamurmbajtësi ‘Rathausmann’, apo roja e Bashkisë. Por një kopje të statujës që me zor shquhet nga toka, e shikojmë në parkun para Bashkisë. Kulla bashkë me statujën është një nga pikat më të larta në Vjenë, ndaj kudo që shkonim na ndiqte pamja e saj…
Burgtheater, përballë Bashkisë, është po kaq i famshëm. Në fasadën e ish-Teatri Perandorak dallojmë qartësht emrat e mjaft dramaturgëve të mëdhenj. Aty nisi karrierën dhe shqiptari i famshëm Aleksandër Moisiu.
Përgjatë Ringstraße shijojmë dhe ndërtesa të tjera të mrekullueshme, që ndjekin njëra tjetrën qetësisht si valët e Danubit.
Parqe pa fund
Ndërsa parqet janë të pafund. Ishulli i Danubit është një nga vendet më tërheqëse dhe më të frekuentuara, ku do të gjeni bare të shumtë, restorante e klube nate, ndërsa në ditët e nxehta të verës të fton për banjo dielli. Ndalni në plazhin “Copa Cagrana”, ngjitur me Kagran (pjesë e distriktit 22 të Vjenës), që vendasit e quajtën me këtë emër si një ‘huazim humoristik’ nga Copacabana e Rio de Janeiro.

Por, kudo që të shkosh në Vjenë gjendesh në mes parqeve; Stadtpark, Burggarten, Volksgarten, Schlosspark në Schloss Belvedere, Donaupark, Schlosspark Schönbrunner, Prater, Rathauspark, etj. Ndërsa në disa pse tyre ndodhen monumente të figurave të shquara si statuja e Johan Strauss II në Stadtpark, Mozart në Burggarten, etj.

Por, Prater është një nga parqet më interesantë, që është dhe shtëpia e Riesenrad, e gjigandes Ferris Wheel, e para në botë (1897). Ndërsa veç gjelbërimit, ky vend mbetet një nga vendet më tërheqëse vjeneze me parkun me lojra zbavitëse. Ndërsa për të shijuar karuselin më të vjetër në botë, u desh të prisnim në radhë, por udhëtimi ishte i magjishëm.
Belvedere dhe Schönbrunn

Edhe pse jashtë qytetit, nuk mund t’i lësh pa i parë. Për të arritur në Belvedere dhe Schönbrunn, në pika të ndryshme të qytetit, morëm metronë, që është lehtësisht e përdorshme.
Nga Belvedere, një kopësht shumë i bukur e shumëngjyrësh, mund të shijosh dhe pamjen fine të qytetit të vjetër. Vetë emri, Belvedere (pamje e bukur) nënpkupton një vend të tillë… Pallati veror i Princit Eugen përbëhet nga dy ndërtesa; Belvedere e Sipërme dhe Poshtme, ku kompleksi i ndërtesave ndërthuret harmonishëm me koshtet me dru portokalli dhe statujat në to, por dhe shatërvanin që ndan dy pjesët.
Teksa qëndrojmë në Belvederen e Sipërme, para na hapet pamja në mënyrë simetrike përgjatë një boshti qendror, me burimet, ujëvarën kryesore dhe statujat, me heronj dhe Nereide. E ndërsa vazhdojmë të ecim përgjatë rrugicëzave, gjendemi në kopshtin e vetmuar të princit Eugene, komandantit të madh ushtarak austriak…. Por nuk u larguam pa parë dhe koleksionin e kryeveprave botërore dhe pamjet e brendshme të pallatit. Këtu gjetëm dhe pikturën e famshme, Puthjen (The Kiss) te Gustav Klimt, kryeveprat nga Schiele dhe Kokoschka, punë të shquara të impresionistëve francezë e të tjerë. Ndër skulpturat e shumta, të ekspozuara apo pjesë e pallatit, na bën përshtypje koleksioni i skulpturave me shpehjet e ndryshme të fytyrës së njeriut.

Dhe nga një vendbanim veror, largohemi për t’u drejtuar në një tjetër të tillë, Schönbrunn, pallati perandorak veror. Pa hezituar themi, një nga mrekullitë e Vjenës. Gjithçka mbretërore; pallati dhe kopshtet janë mishërim i shijeve të Habsburgëve. Ndërsa emri Schönbrunn, “pranverë e bukur”, e tregon më së miri….
Edhe pse pak e mundimshme për shkak të vendosjes mbi kodër, shkojmë të vizitojmë Gloriette. Por harruam që ajo vetë është një strukturë mjaft tërheqëse; pamja e pallatit, në mes të asaj të qytetit të vjetër është mahnitëse… Kopshti, me labirintin, kopshtin zoologjik e botanik pa më tej, janë mjaft zbavitëse. Por më bukur sesa pamja nga Gloriete është t’i vizitosh.
U harruam pas kësaj mrekullie të jashtme dhe harruam që brenda ambjenteve na priste një tjetër; jeta perandorake. Në muzeun në ambjentete e brendshme të Pallatit shikojmë jetën mbretërore, por dhe të gjitha gjurmët që kanë lënë kohërat në të.
Por Vjena ka më shumë se 100 muze të artit, si Albertina, Muzeu Sisi, kushtuar Perandoreshës Elizabeta Bashelo Amalie e Austrisë, por dhe shumë vende që lidhen me kompozitorë të cilët jetonin në Vjenë. Për t’i vizituar të gjitha duhet mjaft kohë , ndaj ne përzgjodhëm disa prej tyre.
Por mbrëmjen e fundit në Vjenë ia kushtuam muzikës. Në Vjenë ka shumë pallate dhe trupa operistike, ndërsa ne zgjodhëm Pallatin Auersperg. Dhe Mozartin, Shtrausin, Bethovenin e morëm përmes Orkestrës Rezidente të Vjenës (Wiener ResidentOrchester). Do të na mbetet gjatë në mendje Martesa e Figaros, Don Giovani, Flauti Magjik, por dhe lëkundja nën valët e Danubit Blu, nën kërcimin e balerinëve. E pa dyshim marshi Radetzki, i interpretuar mrekullisht në Auesperg. Këtu ka rëndësi vetëm muzika….



