Shqipëria dhe Kosova, marrëveshje në farmaceutikë
Shqipëria dhe Kosova kanë nisur bashkëpunimin në fushën e farmaceutikës. Dy ministrat e Shëndetësisë të Shqipërisë dhe Kosovës, përkatësisht Petrit Vasili dhe Ferid Agani kanë firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit në shëndetësisë, në fushën farmaceutike , e para e këtij lloji mes dy vendeve. Po ashtu, Memorandumi i bashkëpunimit në këtë fushë është nënshkruar edhe në mes Drejtorit të Qendrës Kombëtare për Kontrollin e Barnave të Shqipërisë, Besnik Jakaj dhe Kryeshefit Ekzekutiv të Agjensionit Kosovar për Produkte Mjekësore të Kosovës, Ilir Dushi.
Vasili dhe delegacioni që e shoqëron ndodhet në Kosovë në kuadër të një vizitë zyrtare.
Vasili tha se “kjo marrëveshje është në vazhdën e bashkëpunimit të gjithanshëm, shumëplanësh dhe intensiv”. Marrëveshja, sipas tij, synon përafrimin e legjislacionit mes dy vendeve dhe me atë evropian. Të dy ministrat u shprehën të kënaqur që kjo marrëveshje rrit mundësinë për një treg më të madh dhe konkurent farmaecutikë në shërbim të shqiptarëve.
Ministri kosovar Agani falenderoi homologun e tij Vasili për ndihmën e pakursyer që Shqipëria po i jep sistemit shëndetësor të Kosovës në procesin e filluar të reformave dhe i ka vlerësuar raportet si jashtëzakonisht të mira. “Marrëdhëniet tona janë larg prej marrëdhënieve formale, kemi një bashkëpunim shumë të hapur e të sinqertë, takohemi sa herë që kemi nevojë për t’u konsultuar për çështjet me interes të dyanshëm dhe pa protokoll dhe jemi shumë falënderues për ndihmën që i është dhënë MSh-së nga ana e Shqipërisë në fushën e shëndetësisë”, tha Agani. Ai vlerësoi se me nënshkrimin e Memorandumit të bashkëpunimit, do të intensifikohet bashkëpunimi në fushën e përafrimit të legjislacionit në farmaceutikë dhe në aspekte të tjera të këtij sektori shumë të ndjeshëm, ndërsa përfitues të këtij bashkëpunimi do të jenë qytetarët e të dy shteteve. “Bashkëpunimi në këtë mënyrë do të mundësojë që popullata në dy shtetet të ketë barna të sigurta e cilësore dhe shërbime sa më të mira shëndetësore”, tha Agani.
Vasili tha se Shqipëria e Kosova janë në proces të integrimit të sistemeve shëndetësore. Kosova, vlerësoi ai, është në rrugën e drejtë të reformës shëndetësore. “Reformat janë në rrugën e duhur, ndërsa eksperiencat e vyera do t’i vëmë në funksion të implementimit të reformës shëndetësore në Kosovë”, tha Vasili, ndërsa shtoi se vetë qëllimi i vizitës në Kosovë dhe nënshkrimi i Memorandumit të bashkëpunimit është eliminimi i barrierave burokratike në sektorin e farmacisë dhe rritja e transparencës në këtë sektor. “Tashmë Kosova dhe Shqipëria flasin me një gjuhë tjetër edhe në fushën e përafrimit të legjislacionit dhe të dy sistemet shëndetësore të vendeve tona janë në fushën e reformimit pozitiv”, theksoi Vasili.
Më pas të dy ministrat prene shiritin e inagurimit të spitalit amerikan në Prishtinë, aktivitet ku merrte pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ministri Vasili në fjalën e rastit theksoi se “Integrimi i Shëndetësisë së dy vendeve mbetet sfida kryesore si dhe nxitja e zhvillimeve që ofrojnë shërbime të reja mjekësore sa më cilësore dhe sa më afër qytetarëve”.
Memorandumi dhe fushat e bashkëpunimit
Marrëveshja vjen në kuadër të krijimit të urave të bashkëpunimit midis institucioneve të ngjashme shëndetësore të dy shteteve, me qëllim garantimin e popullatës së dy shteteve me barna/produkte medicinale për përdorim njerëzor, të sigurta e cilësore. Fushat e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve janë; legjislacioni farmaceutik, kontrolli i cilësisë së barnave, inspektimi i kushteve të mira të fabrikimit (GMP), farmakovigjilenca, si dhe ktivitete të përbashkëta shkencore, edukuese, informuese, etj.
Ndërkaq, aktivietet që do të kryehen, sipas memorandumit janë;
1. Plotësimi i ndërsjelltë i legjislacionit farmaceutik, përsa i përket procedurave të regjistrimit të barnave/autorizimit per marketing te barnave/produkteve medicinale per perdorim njerezor;
2. Shkëmbimi i eksperiencave dhe trajnimi reciprok i specialistëve në laboratorët e kontrollit të cilësisë së barnave të dy institucioneve, të paktën 2 (dy) herë brenda një viti;
3. Kryerja e ndërsjelltë e analizave fiziko-kimike dhe mikrobiologjike të barnave në laboratorët e kontrollit të cilësisë së barnave të dy institucioneve, rast pas rasti kundrejt pagesës;
4. Inspektimi i ndërsjelltë i fabrikave prodhuese të barnave, në lidhje me kushtet e mira të fabrikimit (GMP), të paktën 2 (dy) herë brenda një viti;
5. Shkëmbimi në kohë reale i të dhënave në lidhje me farmakovigjilencën, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe bashkërendimit të punës ndërmjet institucioneve, për monitorimin e efekteve të padëshiruara dhe/ose të dëmshme të barnave, të evidentuara në secilin shtet.
6. Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta, si konferenca, ëorkshop-e, trajnime, përsa i përket procedurave të regjistrimit të barnave, kontrollit te cilësisë dhe analizimit të barnave, procedurave të inspektimit, farmakovigjilencës, ose të tjera për të cilat palët mund të bien dakord, të paktën 2 (dy) aktivitete të përbashkëta brenda një viti.






