Shqipëri-Mali i Zi, projekte të përbashkëta në infrastrukturë e energji

Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të realizojnë projektet e përbashkëta, përfshi ato ndërkufitare. Kjo u konfirmua gjatë takimeve që ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, zhvilloi gjatë vizitës në Malin e Zi, ku u takua me Presidentin Filip Vujanoviç, Kryetarin e Kuvendit, Ranko Krivokapiç, Kryeministrin, Igor Lukshiç, si dhe me ministrin e Jashtëm dhe Integrimit Evropian Milan Roçen. Gjatë kësaj vizite, Ministri Haxhinasto u takua edhe me drejtuesit kryesorë të partive parlamentare shqiptare, si dhe vizitoi komunën e Ulqinit dhe Tuzit, ku pati takime me drejtues të pushtetit vendor.

Në takimin zyrtar me Ministrin e Jashtëm Rocen u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe, me theks të veçantë bashkëpunimin ekonomik dhe projektet konkrete në infrastrukturë, proceset integruese evropiane dhe euroatlantike, si dhe zhvillimet në rajon. Ata nënvizuan se ekziston një përputhje e plotë e objektivave strategjike të të dy vendeve në rrugën drejt integrimit në BE dhe NATO.

Ministri Haxhinasto tha se marrëdhëniet dypalëshe të shkëlqyera dhe niveli i  lartë i dialogut politik diktojnë si prioritet gjetjen e mekanizmave adekuate që angazhimi ynë të përkthehet në projekte dhe rezultate konkrete. Bashkëbiseduesit nënvizuan faktin se tashmë është koha për të realizuar projekte konkrete, përfshi ato ndërkufitare. Në këtë aspekt, u ra dakort që menjëherë të mblidhet Komisioni i Përbashkët ndërqeveritar për bashkëpunim ekonomik, i cili do të rivizitojë agjendën e përbashkët dhe do të adresojë projektet e përbashkëta dhe të mundësojë realizmin e tyre në një kohë sa më të afërt.

Ndër fushat që përcaktojnë prioritetet e bashkëpunimit dypalësh u identifikuan: ekonomia- infrastruktura, transporti, energjia, turizmi dhe ambjenti; lëvizja e lirë – plotësimi i paketës për t’i bërë kufijtë të padukshëm duke eliminuar barrierat jofizike, si nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen e patentave, etj; arsimi – marrëveshja e konkluduar në fushën e arsimit gjatë kësaj vizite, i hap rrugë njohjes së diplomave, si dhe heq tarifat respektive për arsimin e lartë.

Ndër projektet konkrete u duskutuan: rrugët lidhëse në të dy anët e kufirit, vecanërisht ajo Ulqin- Velipojë, rruga Plavë-Podgoricë nëpërmjet territorit shqiptar, lidhja me hekurudhë, projekte të liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna. Në energjetikë u vecua gazsjellësi Trans Adriatik, për të cilin dy bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen e plotë dhe u angazhuan për të bashkëpunuar në të ardhmen.

Ministri Haxhinasto theksoi se shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi janë një bazë e sigurt për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve. Ata kanë kontribuar për pavarësinë e Malit të Zi dhe kontribuojnë sot për proceset integruese në NATO dhe BE, si qytetarë luajalë të Malit të Zi. Ai kërkoi trajtimin e cështjeve të decentralizimit të pushtetit vendor, vecanërisht njohjen me të drejta të plota të Komunës së Tuzit.

Palët ranë dakord për të zgjeruar më tej kuadrin ligjor të bashkëpunimit, duke përcaktuar si imediate marrëveshjen për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve, si dhe, më tej marrëveshjen në fushën postare. Për trajtimin konkret të gjithë kesaj problematike u ra dakord të mblidhet sa më parë sesioni i Komisionit të Përbashket Ndërqeveritar.

Gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi, Ministri Haxhinasto pati një takim me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq. Haxhinasto siguroi bashkëbiseduesin se Shqipëria mbështet anëtarësimin e  Malit të Zi dhe gjithe rajonit në NATO. Po ashtu, në takim u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit midis komuniteteve të biznesit, duke synuar marrëdhënie më të forta ekonomike si dhe një zhvillim të qendrueshëm. Ministri Haxhinasto tha se vullneti i mirë dhe i përbashket politik duhet të shërbejë si bazë për të punuar me mentalitet evropian për të shkurtuar kohën që kërkon procesi i integrimit në BE.

Në takim me Kryetarin e Parlamentit, Ranko Krivokapiç, u theksua rëndësia e diplomacisë parlamentare dhe u nënvizua se tashmë ekzistojnë mekanizmat që ky bashkëpunim të jetë gjithnje e më i plotë. Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se te gjitha projektet e përbashkëta krijojnë një rrjet rajonal që mundëson integrimin midis vendeve tona, përgatit këto vende për një integrim më të shpejtë në BE, si dhe rrit konkurueshmërinë në tregjet rajonale dhe ato globale. Ministri Haxhinasto tha se vlerëson politikën e jashtme te Malit te Zi në rajon, vecanërisht lidhur me Kosovën.

Në takim me Kryeministrin Igor Lukshiç, u diskutua mbi bashkëpunimin dypalësh, duke u përqëndruar në projektet konkrete, me theks të vecantë në infrastrukturën rrugore, energjitike e turistike. Bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi për thellimin e liqenit të Shkodrës dhe lunit Buna, linjat e interkonjuksionit, si dhe projekti TAP janë ndër projektet konkrete për të cilat duhet të punohet më shumë në të ardhmen.

Ministri Haxhinasto bëri një vizitë në komunën e Tuzit, ku u prit nga Kryetari i Komunës, Fran Lulgjuraj, si dhe përfaqësues të Këshillit vendor. Duke vlerësuar rolin e shqiptarëve të Malit të Zi në proceset integruese të vendit në BE dhe NATO, ministri Haxhinasto theksoi se qeveria shqiptare është angazhuar seriozisht jo vetëm për të përfunduar në kohë rrugën e Hanit të Hotit, por edhe rruge të tjera ndërkufitare, vecanërisht atë që lidh Plavën me Podgoricën.

Në përfundim të vizitës zyrtare në Mal të Zi, Ministri Haxhinasto bëri një vizitë edhe në komunën e Ulqinit, ku u takua me përfaqësues dhe shqiptarë të kësaj komune.

 

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Leave a Reply

Log in | Designed by GSC