PD kundër ndryshimit të sistemit zgjedhor: Nuk mund te ndryshohet cdo tre vjet
Sistemi zgjedhor nuk do të preket. Ky është qëndrimi të paktën i përfaqësuesve të mazhorancës në komisionin parlamentar për Reformën Zgjedhore. Sipas tyre, përsa kohë rekomandimet e OSBE/ODIHR nuk sugjerojnë ndryshimin e sistemit, atëherë kjo cështje nuk ka pse të debatohet mes palëve. Në anën tjetër edhe socialistët duket se nuk janë të predispozuar për të ndryshuar sistemin zgjedhor, edhe pse aleatët e saj, kanë kërkuar një gjë të tillë.
“Nuk ka rekomandim të OSBE-ODHIR për sistemin zgjedhor, prandaj sistemi nuk është pjesë e misionit të komisionit për reformën zgjdhore. Sistemet nuk janë lodra 3 vjecare dhe ne nuk mund të hyjmë në eksperimente”, shprehet deputeti demokrat, Viktor Gumi. Në këtë mënyrë duket se në zgjedhjet parlamentare të 2013 do të përdoret i njëjti sistem zgjedhor, proporcional rajonal. Partitë e vogla, qofshin këto parlamentare ose jo, kanë kërkuar korrektim kombëtar të votave, por deri më tani kërkesat e tyre nuk kanë gjetur mbështetje.
Pika për të cilën pozita dhe opozita kanë rënë dakort dhe përbën një risi për proceset zgjedhore në Shqipëri është numërimi elektronik i votave, çka do të thotë se do të ketë një proces më të shpejtë në shpalljen e rezultateve, sikundër do të shmangen tensionet gjatë numërimit të votave. “Shumë shpejt do të ketë një paketë propozimesh, për sa i përket hartmit të listës së zgjedhësve dhe identifikimit të tyre. Do të percatkohet një mjet elektronik për identifikimin e zgjedhësve dhe nuk do të ketë gjurmë gishtash. Besoj se brenda javës së ardhëshme do të përcaktohen modalitetet për identifikimin elektronik të votuesve”, thekson Gumi.
Një tjetër pikë që mbetet e nxehtë në punën e Komisionit për Reformën Zgjedhore është KQZ. Opozita ka kërkuar ndryshimin e formulës së këtij komisioni, ndërsa mazhoranca kërkon të ruajë të njëjtën formulë.





