Nje lutje per politiken

Nga Ogert Isallari

A do të ketë fund kjo orkestrale e hidhur e politikës shqiptare dhe kjo valle e hedhur tutje tehu, calë calë pa pikë elegance dhe hijeshie? Sërish thirrje për konsensus, sërish ndasi grindavecësh prej kalamanjsh, sërish të futur nën vorbullën e një krize idiote që më së shumti nga larg të jep shijen e një mungese respekti për gjakun shqiptar! E ndërsa shoh nga larg sherrrnajën e ngritur e të stërgjatur pafundësisht, ndihem sërisht i lodhur, i dërrmuar e i shurdhuar nga ato palo burra që sërish veshin të njëjtën ngjyrë kravate dhe tejmbajnë të njëjtin model flokësh, të kapërdredhur sa majtas e djathtas! I thashë vetes për një moment, le ti jap fund pozicionit tim prej spektatori aktiv, sikurse vazhdojnë të bëjnë të gjithë shqiptarët fatkeqë, dhe le ta mbuloj syrin dhe veshin me një vello indiference për ca kohë! Sinqerisht nuk desha tua dëgjoj zërin, dhe tu shoh fytyrat e shpërfytyrosura me gjithëfarëlloj hijesh djallëzore! Më besoni u bë thuajse pak më shumë se dy vjet, i verbër dhe i shurdhuar nga ato tinguj pa pikë lidhje, pa pikë rregulli e tonacioni, thjesht zhurmë-muzikë ! Por sot hapa sytë sërish! Pashë, lexova dhe dëgjova! Po si dreqin ushqehet pa fund ajo energji negative e kësaj klase politike idiote, pa pikë njerzillëku a namuzi, pa zemër e gjak! Më besoni, iu rikthehem të rishoh tingujt e lajmeve dhe komenteve analitike dhe sërish i njëjti ritëm negativ, të njëjtat rrahje zemrash ogurzeza, të njëjtat terma e lumë fjalësh pa pikë ngjyre dhe sensi! Jo, kurrsesi nuk mund ta kuptoj! Flitet për një Shqipëri që humb trenat për BE, ndërsa integrimi na qenka varur e stërvarur për gryke nga sjelljet e “kungujve” të papjekur të kësaj strehe! Po ku dreqin i con mushka këta njerës, që spo vijnë dot në vete! A thua na qenka kaq e vështirë, të rigjesh ritmin e normalitetit, të duhurën dhe te dashurën?! Cfarë e mban këtë politikë pisanjoze, në të njëjtën rrugë me gropa! Gjithkush le të ndihet i mirëseardhur të më kritikojë për gjeneralizmin e këtij shkrimi, sepse nuk paskam prekur detaje e ngjarje konkrete për ta bërë komentin sa më profesional! Njeres, nuk dua të futem në vorbullën e asaj për të cilën po hakërrehem dhe po turfulloj. Po përpiqem të shoh nga lart, atë teatër, që po luhet në vendin tim, tuajin! Ne (populli) shembëm një bust diktatori dhe i vumë litarin për gryke si i vihet gomarit, e ndërsa ju, akoma të nderuar, nisët një lojë! Ne (populli) vramë dhe gjakosëm këmbët nëpër kufinj, në kërkim të dritës dhe lirisë, Ju vazhduat lojën. Ne (populli) ikëm, erdhëm, dhe sërish ikëm dhe shtrydhim trurin nëse duhet të vijmë sërish, sepse ju vazhdoni të bëni të njëjtën lojë! Ku ta kërkoj këtë punën e sherrnajës suaj që spaska një fund! Tek vjedhjet dhe zhvatjet? A është kjo loja dhe vallja që po luani, një luftë për të mbajtur pasurinë dhe pushtetin personal? A jeni vërtet armiq mes jush, apo thjesht maska-rexhinj që po përpiqeni të fshihni të zezat tuaja? Ju zhvatet, dhe tani duhet të mbroni njëri tjetrin mes një lufte gjakpirëse! Si përfundim, mjerë ne me ju! E ndërsa nuk shoh shpresë se ju mund të ndryshoni, me mbetet vec të lutem!
O Zot, ndihmoje vendin tim, nga këta duar-gjaksa, jepu kurajo dhe zemër të pranojnë dhe rikthehen tek e duhura. Ndihmoji të shkërrmoqin interesat personale dhe ti kthehen punës, për vendin tim dhe të “tyre”. Ndihmoji të shkurtojnë gjuhën e sherrit dhe konfliktit. Jepu forcë dhe kurajo të ulen dhe të dalin prej kësaj valleje që e kërcejnë prej vitesh, që kur ti rikthehem sërish të shoh se cbëjnë, të më kënaqen veshët dhe sytë ndërsa shoh dhe dëgjoj, se ata janë ulur, po flasin për strategji zhvillimi, zgjidhje ngërcesh ekonomike dhe sociale, mënyra dhe rrugë për zgjidhjen e problemeve të shoqerise. Ah sikur! Amen!

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Komentoni »

Log in | Dizenjuar nga GSC