Renta minerare, procedurat për arkëtimin e taksës. Sa duhet paguar

Qeveria përcakton procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm për arkëtimin e taksës së rentës minerare. Sipas vendimit, për përcaktimin e detyrimit të rentës si dokument bazë shërben fatura tatimore me TVSH. Detyrimi për rentën, në rastin kur shitet mineral, përcaktohet duke shumëzuar përqindjen e rentës me vlerën totale  të shitjeve, në bazë të çmimeve me shumicë brenda vendit  Në rastin kur shitet nënprodukt, detyrimi për rentën përcaktohet duke shumëzuar përqindjen e rentës me vlerën e mineralit të përdorur për prodhimin e nënproduktit, bazuar në normativat. Sipas vendimit, çdo person fizik apo juridik, që është i licencuar dhe/ose vepron në industrinë minerare, sipas një marrëdhënieje kontraktuale me ministrin përgjegjës për ekonominë, paguan taksën e rentës minerare për mineralet që nxjerr nga mbitoka dhe nëntoka e territorit të Republikës së Shqipërisë dhe nënproduktet e prodhuara nga këto minerale prej tij. Më poshtë po japim të plotë vendimin e miratuar në mbledhjen e Qeverisë.

1.Çdo person fizik apo juridik, që është i licencuar dhe/ose vepron në industrinë minerare, sipas një marrëdhënieje kontraktuale me ministrin përgjegjës për ekonominë, paguan taksën e rentës minerare për mineralet që nxjerr nga mbitoka dhe nëntoka e territorit të Republikës së Shqipërisë dhe nënproduktet e prodhuara nga këto minerale prej tij.

2. Renta minerare llogaritet si detyrim mujor i subjektit taksapagues, zotërues i lejes së shfrytëzimit, në çastin kur ai shet apo eksporton mineralin apo nënproduktin e prodhuar . Në rastin e eksportit të produkteve minerare, arkëtimi i rentës bëhet nga degët e doganave në rrethe, ndërsa në rastin e shitjes së produkteve minerare për konsum final brenda vendit arkëtimi i rentës bëhet nga drejtoritë rajonale tatimore, ku është regjistruar subjekti shfrytëzues i llojit të mineralit.

3. Kur subjekti zotërues i lejes së shfrytëzimit shet për konsum final brenda vendit mineralin apo nënproduktin e prodhuar, renta minerare paguhet pranë organit tatimor brenda datës 15 të muajit pasardhës. Vlera që merret parasysh për aplikimin e rentës apo baza e taksueshme, mbi të cilën zbatohet renta, është vlera e deklaruar në faturën e shitjes së mineralit, në rastin e shitjes së mineraleve.
Për përcaktimin e detyrimit të rentës si dokument bazë shërben fatura tatimore me TVSH. Detyrimi për rentën, në rastin kur shitet mineral, përcaktohet duke shumëzuar përqindjen e rentës me vlerën totale  të shitjeve, në bazë të çmimeve me shumicë brenda vendit  Në rastin kur shitet nënprodukt, detyrimi për rentën përcaktohet duke shumëzuar përqindjen e rentës me vlerën e mineralit të përdorur për prodhimin e nënproduktit, bazuar në normativat. Renta në përqindje është sipas shtojcës nr. 2, të ligjit nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar.
4. Kur subjekti zotërues i lejes së shfrytëzimit eksporton mineralin apo nënproduktin e prodhuar, renta minerare paguhet në degët doganore, në çastin e bërjes së deklaratës doganore të eksportit nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit, i cili është njëkohësisht dhe eksportues i produktit minerar që eksportohet. Vlera që merret parasysh për aplikimin e rentës apo baza e taksueshme, mbi të cilën aplikohet renta minerare është vlera e faturës së shitjes së mineraleve apo nënprodukteve, në bazë të çmimeve të eksportit, të cilat kuptojnë çmimin F.O.B. Shqipëri.
Për përcaktimin e detyrimit të rentës, në këtë rast, si dokument bazë shërben fatura tatimore e shitjes me TVSH zero. Detyrimi për rentën përcaktohet duke shumëzuar përqindjen e rentës me vlerën totale  të shitjeve, në bazë të çmimeve të eksportit.
Pagesa e rentës  për produktin e eksportuar evidentohet me dokumentin ligjor të pagesës.

5. Nëse subjekti zotërues i lejes së shfrytëzimit eksporton mineralin e nxjerrë nga miniera apo nënproduktin e prodhuar nëpërmjet një subjekti tjetër të vetëm  eksportues, renta, në këtë rast, paguhet si nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit, ashtu edhe nga  eksportuesi, i cili rimbursohet për këtë pagesë. Renta, për produktin e shitur (mineral apo nënprodukt) paguhet nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit pranë drejtorisë rajonale tatimore ku subjekti është i regjistruar, duke u llogaritur në përputhje me pikën 3, të këtij vendimi, ndërsa nga  eksportuesi, pranë organit doganor në çastin e eksportimit të mineralit apo nënproduktit të blerë nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit. Eksportuesi paguan rentën minerare në doganë, bazuar në faturat e shitjes së mineralit apo nënproduktit të tij. Llogaritja e rentës, në këtë rast, bëhet në përputhje me   pikën 4, të këtij vendimi. Renta i rimbursohet eksportuesit për detyrimin e paguar dhe të dokumentuar nga organet tatimore nga zotëruesi i lejes. Rimbursimi kryhet nga organet tatimore, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes, me shkrim, të kërkesës së protokolluar nga subjekti eksportues.
Dokumentacioni justifikues që subjekti duhet të depozitojë te degët e tatimeve, për të marrë rimbursimin përmban:
– Një kopje të mandatarkëtimit të lëshuar nga dogana dhe një kopje të deklaratës doganore të eksportit, ku pasqyrohet vlera e rentës minerare të paguar në doganë (paraqitja vetëm e njërit prej dokumenteve është e mjaftueshme);
– Një kopje të faturës tatimore të blerjes së mineralit nga subjekti shfrytëzues (shitës);
– Një kopje të kontratës së shitjes, të lidhur ndërmjet subjektit blerës eksportues dhe shitësit të mineralit, koncentratit të mineralit apo prodhimeve metalurgjike.

6. Kur organet doganore apo tatimore konstatojnë shmangie të dukshme të vlerës së mineralit, të deklaruar nga subjekti, me vlerën e tregut, ato do t’i referohen vlerës së tregut për llogaritjen e rentës minerare.  Organeve tatimore dhe doganore, në mungesë të dokumentacionit përkatës që vërteton çmimet e shitjes, u lind e drejta e përdorimit të metodave alternative të vlerësimit, në përputhje me ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, dhe me ligjin nr.8449, datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”.

7. Vlera e tregut për  kategoritë e  mineraleve përcaktohet  në bazë të  të dhënave nga burime të tilla si: çmimet e tregjeve ndërkombëtare, të dhënat statistikore të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, investigimi i tregut, brenda dhe jashtë vendit, i kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, çmimet e produkteve minerare të ngjashme, që eksportohen, çmimet e paraqitura në deklaratën e eksportit për subjektet e tjera që veprojnë në të njëjtën industri.
8. Drejtoritë rajonale tatimore dhe degët doganore, të cilat janë agjentë tatimorë, brenda datës 30 të çdo muaji, dërgojnë informacion analitik në Ministrinë e Financave për vlerën e rentës minerare të mbledhur, për subjektin tatimor dhe njësitë e qeverisjes vendore ku kryhet aktiviteti.  Mënyra e ndarjes së të ardhurave të rentës  ndërmjet pushtetit qendror dhe atij vendor kryhet sipas      nenit  15, të ligjit nr.10487, datë 5.12.2011, “Për  buxhetin e vitit 2012”, dhe të udhëzimit të ministrit të Financave.
9. Ngarkohen Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme  e Doganave,  Drejtoria e Përgjithshme  e Tatimeve dhe njësitë e qeverisjes vendore  për zbatimin e këtij vendimi.
10. Vendimi nr.1203, datë 27.8.2008, “Për përcaktimin e vlerës së saktë, në përqindje, të rentës së pasurisë minerare, sipas vlerës së tregut, për çdo mineral apo grup mineralesh”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi më 1 janar 2012 dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Leave a Reply

Log in | Designed by GSC