Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndryshojnë procedurat. Rregullat e reja për bizneset

Qeveria miraton në mbledhjen e fundit të saj ndryshimet në ligjin për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në bazë të ndryshimeve të propozuara për miratim në Kuvend, të gjitha bizneset dy ditë pune pas regjistrimit në QKR duhet të deklarojë në organin tatimor listën e të punësuarve me pagën përkatëse, përfshirë dhe listën e punonjësve të papaguar të familjes së personit fizik mbi 16 vjeç me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht. Po kështu përcaktohet që Organizatat jofitimprurrëse, entet shtetërore, personat “i vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulant”, si dhe “kryefamiljari, që punëson persona si punëtorë shtëpie”, regjistrohen në administratën tatimore, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”.”

Ndryshimet gjithashtu përcaktojnë se personi  i detyruar  për  të paguar kontribute,  për çdo periudhë, duhet të deklarojë  në organet tatimore të dhënat për kontributet në total dhe për çdo individ. Deklarata për kontributet e subjektit duhet të përmbajë shumën e kontributeve, të sigurimeve shoqërore, të sigurimeve shëndetësore, për t’u paguar, numrin e kontribuesve.

Personat që janë të detyruar të paguajnë kontribute deklarojnë në organin tatimor të dhënat sipas formatit të listëpagesës ku, përveç të tjerash, shënohet për çdo person emri e mbiemri, numri personal, paga, shuma e kontributeve të sigurimeve shoqërore, të sigurimeve shëndetësore, si dhe e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, për t’u paguar. Forma, përmbajtja dhe rregullat e deklarimit, në organet tatimore, të kontributeve dhe ndryshimit të  numrit të punonjësve, përcaktohen  me udhëzim të  ministrit të Financave.”. Më poshtë po japim të plotë ndryshimet e miratuara.

P R O J E K T L I G J   PËR DISA NDRYSHIME E SHTESA NË LIGJIN NR.9136, DATË  11.9.2003,  “PËR MBLEDHJEN E KONTRIBUTEVE TË DETYRUESHME TË SIGURIMEVE SHOQËRORE DHE SHËNDETËSORE  NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Neni 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 7
Regjistrimi

Personat juridikë dhe fizikë ushtrojnë veprimtari ekonomiko – tregtare vetëm pas regjistrimit të tyre, në përputhje me ligjin nr.9723, datë 3.5.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”.
Dy ditë pune pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit personi juridik dhe fizik duhet të deklarojë në organin tatimor listën e të punësuarve me pagën përkatëse, përfshirë dhe listën e punonjësve të papaguar të familjes së personit fizik mbi 16 vjeç me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht.

Organizatat jofitimprurrëse, entet shtetërore, personat “i vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulant”, si dhe “kryefamiljari, që punëson persona si punëtorë shtëpie”, regjistrohen në administratën tatimore, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”.”

Neni 2

Në fund të nenit 8, shtohet togfjalëshi “…të miratuar për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”.

Neni 3

Në pikën 1, të nenit 9, pas fjalës “…minimale…”, shtohet togfjalëshi “…të miratuar për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore…”.

Neni 4

Neni 10  ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 10
Detyrimi për të deklaruar

1. Personi  i detyruar  për  të paguar kontribute,  për çdo periudhë, duhet të deklarojë  në organet tatimore të dhënat për kontributet në total dhe për çdo individ.

2. Deklarata për kontributet e subjektit duhet të përmbajë shumën e kontributeve, të sigurimeve shoqërore, të sigurimeve shëndetësore, për t’u paguar, numrin e kontribuesve.

3. Personat që janë të detyruar të paguajnë kontribute deklarojnë në organin tatimor të dhënat sipas formatit të listëpagesës ku, përveç të tjerash, shënohet për çdo person emri e mbiemri, numri personal, paga, shuma e kontributeve të sigurimeve shoqërore, të sigurimeve shëndetësore, si dhe e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, për t’u paguar.

4. Forma, përmbajtja dhe rregullat e deklarimit, në organet tatimore, të kontributeve dhe ndryshimit të  numrit të punonjësve, përcaktohen  me udhëzim të  ministrit të Financave.”.

Neni 5

Në nenin 11 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, fjalia e parë riformulohet, si më poshtë vijon:

“Deklarimet e parashikuara në nenin 10 dhe pagesa e kontributeve bëhen në afatet e mëposhtme: ”.

2. Shkronja “b”  e pikës 1, ndryshohet dhe riformulohet, si më poshtë vijon:

“b) nga personat fizikë, përjashtuar personat fizikë të regjistruar si tatimpagues të taksës vendore mbi biznesin e vogël, brenda datës 20 të muajit pasardhës. Deklarata në këtë rast do të përfshijë personat e vetëpunësuar, punonjësit e papaguar të familjes si dhe të punësuarit;”.

3.  Pika 2 shfuqizohet.

4. Pika 3 riformulohet, si më poshtë vijon:

“3. Personi juridik e fizik është i detyruar të deklarojë zyrtarisht, në organin tatimor, çdo punonjës që fillon punë për herë të parë te subjekti apo të punësuar rishtazi pranë tij, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës.

Të larguarit nga puna subjektet duhet t’i deklarojnë zyrtarisht në organin tatimor brenda 10 ditëve kalendarike nga data e largimit.”.

Neni 6

Pika 1, e nenit  13, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Nëse si rezultat i një kontrolli, konstatimi apo vlerësimi shuma e kontributeve të paguara e tejkalon shumën e llogaritur të detyrimit për  kontributin, organi përkatës rimburson diferencën sipas rregullave dhe afateve të përcaktuara në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”.

Neni 7

Neni 15 ndryshohet, si më poshtë vijjon:

“Neni 15
Mbajtja e regjistrimeve

Punëdhënësi duhet të mbajë regjistrime për periudhën e marrëdhënieve të punës dhe shumat e paguara në para ose si përfitime në natyrë, për çdo punëmarrës, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin e Punës dhe me vendim të Këshillit të Ministrave.  Këto regjistrime  u vihen në dispozicion  punonjësve të autorizuar të administratës tatimore sa herë që kërkohet prej tyre.

Tatimpaguesi duhet të vendosë në listëpagesë  numrin personal të çdo punonjësi.
Tatimpaguesi i jep çdo punëmarrësi një formular me të dhënat, të ndara sipas muajve, për pagën, kontributet dhe tatimin e paguar gjatë periudhës së punësimit brenda një viti kalendarik.”.

Neni 8

Neni 17 shfuqizohet.

Neni 9

Neni 18  ndryshohet,  si më poshtë vijon:

“Neni18
Vlerësimi

Kur organet tatimore zbulojnë se kontributet nuk janë llogaritur e paguar në masën e duhur, bëjnë vlerësime. Për vlerësimet dhe mbledhjen e detyrimeve për kontributet, kamatëvonesat dhe gjobat, zbatojnë rregullat e përcaktuara në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”, përjashtuar afatin e parashkrimit të detyrimeve.
Radha e pagesës së detyrimeve që lidhen me kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të paguara pjesërisht është:
a) kontributet e sigurimeve shëndetësore;
b) kontributet e sigurimeve shoqërore të punëmarrësit;
c) kontributet e sigurimit suplementar;
ç) kontributet e sigurimeve shoqërore të punëdhënësit;
d) kostot administrative;
dh) gjobat;
e) kamatëvonesat.”.
Neni 10
Kudo në ligj,  fjalët  “… ligjin nr.8560,  datë  22.12.1999…”, zvendësohen  me “…ligjin nr.9920, datë 19.5.2008…” dhe fjala “…interesa …” zvendësohet me “… kamatëvonesa …”.
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Leave a Reply

Log in | Designed by GSC