Formulari A3, procedura që duhet ndjekur. Si mund ta plotësoni pa gabime

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar formularin A3 për maturantët kandidatë për në universitetet publike të vendit. MASH bën me dije se se formularin A3 kanë të drejtë ta plotësojnë të gjithë maturantët/kandidatët, të cilët kanë plotësuar ose jo formularin A2 dhe nuk kanë arritur të përfshihen në listat e fituesve të fazës së parë dhe të dytë të konkurimit me formularin A2, janë shpallur fitues dhe nuk janë të rregjistruar, mbetësit,si dhe që janë regjistruar në sesionin e dytë të Maturës Shtetërore 2011 nëpërmjet plotësimit të formularit A1Z dhe rezultojnë kalues në të katër provimet. Maturantët/kandidatët mund të aplikojnë vetëm për programet e studimit dhe kuotat  e shpallura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në formularin A3.  Me poshte do te gjeni formularin A3, si dhe udhezim perkates te ministrit,

Formulari A3 i Matures Shteterore 2011

 

U DH Ë Z I M

Nr.            datë               2011

PËR “PROCEDURËN E KONKURRIMIT ME FORMULARIN A3 DHE REGJISTRIMIN E  KANDIDATËVE FITUES NË CIKLIN E PARË TË STUDIMEVE ME KOHË TË PLOTË NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË,  PËR VITIN AKADEMIK 2011- 2012”

 

Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës, të pikës 1 të nenit 33, të ligjit nr. 9741 datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 423, datë 08.06.2011 ”Për kuotat e pranimit në Institucionet publike te Arsimit të Lartë, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, për vitin akademik 2011-2012 si dhe tarifat e shkollimit”, i ndryshuar, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1013, datë 10.12.2010, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP)” si edhe të Vendimit të Këshillit të Ministrave  nr. 78, datë 08.02.2006, “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e Larta Publike”, i ndryshuar,

UDHËZOJ:

  1. Të regjistrohen në Institucionet publike të Arsimit të Lartë, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, për vitin akademik 2011-2012, sipas programeve përkatëse të studimit, maturantët/kandidatët që shpallen fitues nga rishpërndarja e kuotave të parealizuara, pas përfundimit të regjistrimeve në të dyja fazat të raundit të parë të konkurrimit me formularin A2.
  2. Maturantët/kandidatët do të aplikojnë vetëm për programet e studimit dhe kuotat  e shpallura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në formularin A3
  3. Fituesit përcaktohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (Drejtoria e Pranimeve), në bazë të dy parimeve:
    a)        Parimi i Meritës, përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara nga secili maturant, përllogaritur këto mbi bazën e rezultateve të shkollës së mesme, provimeve të Maturës Shtetërore dhe për programe studimi që parashikojnë konkurse edhe pikëve të grumbulluara nga konkursi.b)        Parimi i preferencës, pasqyrohet nëpërmjet përzgjedhjes së vullnetshme të jo më shumë se 10 preferencave në formularin A3 dhe shprehet nëpërmjet preferencës më të lartë të grupit të preferencave fituese.
  4. Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë maturantët/kandidatët, të cilët kanë   plotësuar ose jo formularin A2 dhe :a)    Nuk kanë arritur të përfshihen në listat e fituesve të fazës së parë dhe të dytë të konkurimit me formularin A2, dhe për rrjedhojë nuk janë rregjistruar  në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në Institucionet publike të Arsimit të Lartë për vitin akademik 2011-2012;b)    Janë shpallur fitues në listën paraprake ose përfundimtare të garës me formularin A2 dhe nuk janë të rregjistruar në Institucionet publike të Arsimit të Lartë për vitin akademik 2011-2012.c)Rezultuan mbetës në sesionin e parë të provimeve të Maturës Shtetërore (Qershor 2011) dhe arritën rezultate kaluese në provimet e vjeshtës (sesioni i dytë).d)        Janë regjistruar në sesionin e dytë të Maturës Shtetërore 2011 nëpërmjet plotësimit të formularit A1Z dhe rezultojnë kalues në të katër provimet.
  5. Drejtoria e Pranimeve pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) t’u shpërndajë DAR/ZA-ve formularin A3 nga data 16.10.2011 deri më datë 17.10.2011.
  6. DAR/ZA-të të shpërndajnë formularin A3 në shkolla në datën 17.10.2011.
  7. Maturantët/kandidatët e përcaktuar në pikën 4 duhet ta tërheqin formularin A3 në shkollat respektive ku kanë tërhequr formularin A2 dhe ta kthejnë atë të plotësuar me preferencat e tyre brenda datës 20.10.2011.
  8. Maturantët/kandidatët që nuk kanë plotësuar më parë formularin A2, e marrin formularin A3 pasi të bëjnë pagesën prej 2000 lekësh pranë zyrave të Postës Shqiptare. Për këtë kontingjent maturantët/kandidatët drejtoritë e shkollave i dorëzojnë mandat pagesat përkatëse së bashku me formularët A3 në DAR/ZA.
  9. Drejtoritë e shkollave t`i dorëzojnë formularët A3, të plotësuar dhe të pa plotësuar me proces-verbal pranë DAR/ZA-ve përgjegjëse brenda datës 21.10.2011.
  10. DAR/ZA-të duhet t`i dërgojnë formularët A3 në Drejtorinë e Pranimeve pranë AKP-së nga data 22.10.2011 deri në datën 23.10.2011.
  11. Më datë 22.10.2011 ora 10.00 do të zhvillohet testimi i Gjuhës Angleze në Fakultetin e Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës për maturantët/kandidatët që kanë përzgjedhur në preferencat e tyre dy programet e studimit të FASTIP-it përkatësisht për programin e studimit Menaxhim Hoteleri Turizëm me kod 259 si edhe për programin e  studimit Menaxhim i Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me kod 260.
  12. Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, të dërgojë në Drejtorinë e Pranimeve pranë AKP-së rezultatet e testimit deri më datë 24.10.2011 ora 16:00.
  13. Institucionet publike të Arsimit të Lartë, në datën 28.10.2011 të shpallin në vende të dukshme, në mjediset e tyre, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të domosdoshme për regjistrim si edhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në Institucionet publike të Arsimit të Lartë për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë.
  14. Drejtoria e Pranimeve në AKP të përpunojë të dhënat e marra nga formularët A3 dhe në datën 31.10.2011 të shpall listën përfundimtare të fituesve, të ndara sipas programeve përkatëse të studimit, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe sipas preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara dhe njëkohësisht ta dorëzojë këtë listë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. MASH e publikon këtë listë në faqen zyrtare të Internetit brenda kësaj date.
  15. Drejtoria e Pranimeve në AKP të dërgojë, në datë 31.10.2011, në formë të shkruar dhe elektronike, listat përfundimtare të fituesve, sipas programeve përkatëse të studimit të ciklit të parë me kohë të plotë, në Institucionet publike të Arsimit të Lartë dhe DAR/ZA-të. Këto institucione të afishojnë menjëherë listat në vende të dukshme në mjediset e tyre.
  16. Regjistrimi i fituesve, të bëhet pranë sekretarive mësimore të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë në datat 1 deri 4 Nëntor 2011, nga ora 8.00 deri në orën 18.00. Për regjistrim, kandidati fitues duhet të dorëzojë dosjen individuale me  dokumentet origjinale të mëposhtme:a)    Diploma e Maturës Shtetërore, Dëftesë pjekurie (në mungesë, listë notash me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës dhe drejtori i drejtorisë Arsimore Rajonale/ drejtori i zyrës Arsimore, ose listë notash të lëshuar nga Arkivi i Shtetit);b)    Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë), origjinalin dhe fotokopjen e tij. Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit, në mungesë të tyre dorëzohet certifikatë personale me fotografi;c)    Dy fotografi;d)    Mandat-arkëtimi të tarifës së rregjistrimit prej 1.550 lekësh të lëshuar nga zyrat e Postës Shqiptare.
  17. Sekretaria mësimore të pajisë kandidatin fitues me fletë-regjistrimi ku të shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit fitues, data dhe ora e regjistrimit. Fletë-regjistrimi duhet të jetë e nënshkruar dhe e vulosur nga titullari i Institucionit publik të Arsimit të Lartë/i njësisë kryesore që kryen regjistrimin dhe nga kryesekretari mësimor.
  18. Për maturantët/kandidatët që e kanë likuiduar tarifën e regjistrimit në një nga fazat e regjistrimit me formularin A2, nuk është e nevojshme të bëjnë pagesë të re. Tarifat e regjistrimit prej 1.550 lekësh, e arkëtuar nga maturantët/kandidatët në fazat e mëparshme, të kalojë me xhirim nga llogaria e Degës së Thesarit ku Institucioni publik i Arsimit të Lartë ka llogarinë buxhetore, në llogarinë e Thesarit të Institucionit tjetër publik të Arsimit të Lartë, në të cilin është realizuar regjistrimi përfundimtar i maturantët/kandidatët me formularin A3.
  19. Pas përfundimit të procesit të regjistrimit, Institucionet publike të Arsimit të Lartë të dorëzojnë në Drejtorinë e Pranimeve në AKP listat përfundimtare origjinale të përgatitura nga Drejtoria e Pranimeve, me regjistrimet e kryera, në formë të shkruar dhe elektronike, brenda datës 07.11.2011 ora 14.00.
  20. Në përfundim të regjistrimit të kandidatëve fitues me formularin A3, sipas modelit të dërguar nga AKP, studentët të regjistrohen në regjistrin bazë në përputhje me përcaktimet e udhëzimit nr. 19, datë 18.07.2007 të ministrit të Arsimit dhe Shkencës “Për gjenerimin dhe dhënien e numrave të matrikullimit” dhe të Urdhrit nr. 150, datë 07.04.2008 të ministrit të Arsimit dhe Shkencës “Për përcaktimin e kodit të regjistrave të studentëve në IAL”.
  21. Këto njoftime të bëhen publike edhe në median e shkruar dhe elektronike nga Institucionet publike të Arsimit të Lartë.
  22. Ngarkohen për zbatimin e këtij Udhëzimi Zëvëndësministri i Arsimit dhe i Shkencës, Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, Agjencia Kombëtare e Provimeve, Institucionet publike të Arsimit të Lartë dhe DAR/ZA-të.

Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”.

MYQEREM TAFAJ

MINISTËR


pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Leave a Reply

Log in | Designed by GSC