Taksat e makinave, mënyra si do të paguhen. Udhëzimi i plotë i Ministrisë së Financave.

Udhëzimi i Ministrisë së Financave përcakton procedurat që do të ndiqen për pagimin e taksave për automjetet. Në udhëzim gjithashtu përcaktohet edhe formula që do të përllogariten taksat, sipas vjetërsisë së automjetit, llojit të tij (benzinë/naftë) apo fuqisë motorike.  Taksa sipas vjetersise dhe llojit te automjetit

Më poshtë po japim të plotë udhëzimin e Ministrisë së Financave dhe tabelat përkatëse sqaruese.

 UDHËZIM Nr.18, datë 23.8.2011

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË UDHËZIMIN NR.26, DATË 4.9.2008 “PËR TAKSAT KOMBËTARE”, TË NDRYSHUAR

Në zbatim të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në zbatim të ligjit nr.9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, Ministri i Financave

UDHËZON:

Në udhëzimin nr.26, datë 4.9.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

Pika 2.2. “Taksa vjetore e qarkullimit rrugor të mjeteve” ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“2.2. Taksa e qarkullimit për benzinën dhe gazoilin

Taksa e qarkullimit për benzinën aplikohet për produktet sipas kodeve tarifore të NKM-së 2710 11 41, 2710 11 45, 2710 11 49, 2710 11 51, 2710 11 59 dhe për gazoilin, sipas kodeve tarifore 2710 19 31, 2710 19 35, 2710 19 41, 2710 19 45, 2710 19 49. Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin është 5 lekë litri deri në 31.12.2011, pas kësaj date, taksa e qarkullimit mbi benzinën   dhe gazoilin bëhet 7 lekë litri. Kjo taksë zbatohet si për benzinën e gazoilin e importuar, ashtu edhe për atë të prodhuar në vend.Për benzinën dhe gazoilin e importuar, importuesi e paguan taksën e qarkullimit pranë degëve doganore ku është duke kryer procedurat e zhdoganimit. Për benzinën dhe gazoilin e prodhuar, prodhuesi paguan në bankën e nivelit të dytë për llogari të  drejtorisë rajonale ku është regjistruar, taksën për të gjithë sasinë e prodhuar, brenda dates 5 të muajit pasardhës. Prodhuesi duhet të plotësojë e dorëzojë në drejtorinë rajonale tatimore ku është regjistruar, formularin nr.1, si bashkëlidhur, duke deklaruar sasinë e prodhuar dhe duke i bashkëlidhur mandatpagesën për taksën e paguar.”.

Pika 2.3.1 “Taksa e mjeteve të përdorura të transportit”, ndryshohet, me këtë përmbajtje:

2.3.1. Taksa e mjeteve të përdorura të transportit caktohet sipas formulës:

Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit është si në shtojcën 1 bashkëlidhur këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij. Mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse. “Viti i vjetërsisë” është diferenca ndërmjet vitit, kur mjeti kryen pagesën e taksës me vitin e prodhimit. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. E ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, nëpërmjet drejtorive rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit. Për mjetet, që regjistrohen për herë të parë, taksa llogaritet proporcionalisht për periudhën e mbetur të vitit. 18% e të ardhurave vjetore nga kjo taksë i kalojnë buxhetit të qeverisjes vendore në bazë të procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Pagesa e taksës bëhet në çdo kohë, por gjithnjë para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit. Vlera e taksës është vjetore (për vitin kalendarik në të cilin arkëtohet) pavarësisht nga momenti në të cilin ajo paguhet.

Mjetet që regjistrohen për herë të parë, në momentin e targimit të tyre, paguajnë vlerën e taksës në raport me kohën e hyrjes në qarkullim në territorin e Shqipërisë. Në rast se mjeti targohet në muajin janar, taksa paguhet e plotë, ndërsa për periudhën në vazhdim taksa paguhet në raport me muajt e hyrjes në qarkullim, pavarësisht datës së muajit. Në rast se një mjet targohet për herë të parë pas muajit janar, vlera e taksës së mjeteve të përdorura është e barabartë me vlerën e taksës sipas formulës, pjesëtuar me 12 dhe shumëzuar me numrin e muajve të mbetur nga viti kalendar, që janë muajt në përdorim.

Shembull. Në rast se një autoveturë me cilindratë 2100 cm3, që punon me benzinë, me vite vjetërsie 11 vite, targohet për herë të parë në muajin maj, vlera e taksës së mjeteve të përdorura është e barabartë me vlerën e taksës sipas formulës, pjesëtuar me 12 dhe shumëzuar me 8 që janë muajt në përdorim.

Taksa e mjeteve të përdorura është: 2100x 20×0.28=11,760 lekë. Mjeti do të përdoret për 8 muajt e mbetur të vitit. Për këtë arsye, pronari i mjetit do të paguajë taksën në shumën (11760/12)*8=7,840 lekë.

Pagesa e kësaj takse shoqërohet me faturë dhe me pullën e taksës. Zotëruesi i mjetit e vendos pullën e taksës në xhamin e përparmë të mjetit për të lehtësuar ushtrimin e kontrollit visual nga organet kompetente. Këto dokumente prodhohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe shpenzimet përballohen nga ky institucion në zbatim të nenit 8, pika 3, shkronja “c” të ligjit nr.9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar. Dokumentet e mësipërme duhet të përmbajnë elemente të sigurisë së lartë, për të shmangur falsifikimin e tyre. drejtoritë rajonale të shërbimeve të transportit rrugor bëjnë regjistrimin ditor të arkëtimit të taksës, që shërben si dokument bazë për rakordimin e pagesës së taksës me organet e tatimeve. Regjistrimi bëhet në një regjistër të veçantë ose në mënyrë elektronike, forma dhe përmbajtja e të cilit janë sipas formularit nr.2, bashkëngjitur këtij udhëzimi. Këto drejtori, brenda datës 31 janar të çdo viti, dërgojnë në drejtoritë rajonale të tatimeve dhe në strukturat e Ministrisë së Brendshme listën e mjeteve që nuk kanë paguar taksën për vitin paraardhës, si dhe listën e mjeteve të regjistruara. Personat fizikë apo juridikë, pronarë të këtyre mjeteve, në këto lista do të trajtohen si debitorë dhe nga ana e DPSHTRR-së dhe ndaj tyre do të fillojë të zbatohen masat shtrënguese.

Në rastet e mjeteve të cilat ndërrojnë pronësinë, drejtoritë rajonale të DPSHTRR-së nuk procedojnë me regjistrimin e pronësisë së mjetit në rast se për atë mjet nuk janë paguar taksat respektive. Për mjetet që dalin përfundimisht nga qarkullimi, në momentin e paraqitjes së qytetarit për çregjistrimin e përhershëm, llogaritja për vlerën e taksës do të jetë e barabartë në raport me periudhën, që mjeti ka qenë në qarkullim.

Pas datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr.10 458, datë 29.7.2011 “Për disa ndryshime në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, të gjitha mjetet që për vitin 2011 nuk kanë paguar taksën vjetore të qarkullimit dhe taksën e regjistrimit të përvitshëm, do të paguajnë taksën vjetore të mjeteve të përdorura, pavarësisht kur e kanë pasur datën e pagesës së taksave. Vetëm për vitin 2011, mjetet që do të paguajnë taksën vjetore të mjeteve të përdorura do të pajisen me pullën e taksës së qarkullimit, aktualisht në përdorim nga DPSHTRR-ja.”.

Pika 2.3.2 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“Taksa e karbonit aplikohet për benzinën (sipas kodeve tarifore të NKM-së 2710 11 41, 2710 11 45, 2710 11 49, 2710 11 51, 2710 11 59), për gazoilin (sipas kodeve tarifore 2710 19 31, 2710 19 35, 2710 19 41, 2710 19 45, 2710 19 49), për qymyrin, me krerë tariforë të NKM-së 2701 dhe 2702, për vajgurin sipas kodeve tarifore (sipas kodeve tarifore 27 10 19 11 deri 27 10 19 29), për solarin (sipas kodit tarifor 2710 19 61), për mazutin (sipas kodeve tarifore të NKM 27101963, 27101965 dhe 27101969) dhe për koks nafte (sipas krerëve tariforë të NKM 2713 11 00 dhe 2713 12 00).

Taksa e karbonit caktohet në masën 1.5 lekë për litër për benzinën, 3 lekë për litër për gazoilin, 3 lekë për kilogramë për qymyrin, 3 lekë për litër për solarin, 3 lekë/litri për mazutin, 3 lekë për litër për vajgurin dhe 3 lekë për kilogramë për koks nafte. Kjo taksë zbatohet si për benzinën, gazoilin, qymyrin, vajgurin, solarin, mazutin dhe koks nafte e importuar, ashtu edhe për ato të prodhuara në vend.

Për benzinën, gazoilin, qymyrin, vajgurin, solarin, mazutin dhe koks nafte e importuar, importuesi në momentin e importimit paguan taksën e karbonit, pranë degëve doganore ku kryhen procedurat e zhdoganimit. Për benzinën, gazoilin, qymyrin, vajgurin, solarin, mazutin dhe koks nafte e prodhuar, prodhuesit llogaritin dhe deklarojnë detyrimin për taksën e karbonit në degën përkatëse të tatimeve në bazë të sasive të prodhuara të këtyre produkteve. Shumat e paguara nga kjo taksë derdhen Brenda datës 5 të muajit pasardhës në bankën e nivelit të dytë për llogari të drejtorisë rajonale ku subjekti është regjistruar. Prodhuesi duhet të plotësojë e dorëzojë në drejtorinë rajonale tatimore ku është regjistruar, formularin nr.3, si bashkëlidhur, duke deklaruar sasinë e prodhuar dhe duke i bashkëlidhur mandatpagesën për taksën e paguar.”.

Pika 3.1. e udhëzimit ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“3.1. Përjashtohen nga pagimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura:

a) mjetet në pronësi të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare, që gëzojnë status diplomatik, të akredituara në Republikën e Shqipërisë, duke zbatuar parimin e reciprocitetit;

b) personat fizikë ose juridikë, të cilët deklarojnë, brenda muajit janar të vitit në vazhdim, se nuk do të qarkullojnë me mjetet në pronësi të tyre gjatë këtij viti kalendarik, ose do të dalin përfundimisht nga qarkullimi dhe dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor targën dhe lejen e qarkullimit të mjetit;

b.1) pagesat e taksës së mjeteve të bllokuara me vendim të gjykatës, prokurorisë etj., për periudhën në të cilën mjeti ka qenë i bllokuar.

c) autoveturat tip 4+1 vende dhe me cilindratë jo më shumë se 2500 kubikë, kur këto mjete kalojnë në zotërim të invalidëve e të veteranëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, invalidëve të punës, të verbërve, invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë që e fitojnë këtë status në bazë të ligjeve përkatëse dhe përdoren vetëm për nevojat e tyre personale dhe jo për veprimtari private.

Përjashtimi nga pagimi i taksës bëhet vetëm kur veprimet bëhen në emër të veteranit të luftës, invalidit të punës a të luftës, të verbrit, të sëmurëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Veterani i luftës, invalidi i luftës apo i punës, personat e verbër, si dhe të sëmurët paraplegjikë dhe tetraplegjikë duhet të paraqesin pranë agjentit tatimor librezën përkatëse, së bashku me dokumentin e identifikimit të personit që përfiton përjashtimin nga taksa dhe vërtetimin që nuk kryen veprimtari ekonomike.

d) makinat bujqësore.”.

 

 

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Komentoni »

Log in | Dizenjuar nga GSC