Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve, kësti i dytë brenda vitit. Kriteret dhe procedurat

Ish- të përndjekurit politikë do të mund të marrin këstin e dytë të dëmshpërblimit financiar brenda vitit. Kjo përcaktohet në një vendim të qeverisë, i cili ka hyrë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare.

Sipas skemës së shpërndarjes së kësteve të dëmshpërblimit, afati i shpërndarjes së këstit të dytë fillon pas përfundimit të miratimit të plotë të dëmshpërblimit për të gjithë ish-të dënuarit politikë.

Vendimi gjithashtu parashikon edhe shpërndarjen e fondeve për ata ish-të përndjekur të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda dhe që janë mbi 65 vjeç.  Në vendim përcaktohet se gjendja shëndetësore dhe përfitimi i fondit bëhen me udhëzim të veçantë të Ministrisë së Financave dhe asaj të Shëndetësisë.

Vendimi parashikon që dëmshpërblimi të shpërndahet në tetë këste të barabarta, ku vlera e këstit është jo më e vogël se 100 mijë lekë, por jo më e madhe se 1 milion lekë. Pagesa e kësteve, duke filluar nga kësti i dytë, do të bëhet sipas radhës kronologjike të kryerjes së pagesës së këstit të parë, me përjashtim të ish-të dënuarve politikë, të cilët janë mbi 65 vjeç dhe vuajnë nga sëmundje të rënda.

Procedurat

Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton si kohë për shpërndarjen e kësteve 1 muaj nga momenti që të gjithë ish-të përndjekurit kanë marrë një këst dëmshpërblimi. Kështu nëse ish-të përndjekurit kanë marrë këstin e dytë, atëherë shpërnadrja e të tretit bëhet vetëm një muaj më pas dhe kështu me rradhë.

Sipas vendimit, në shpërndarjen e këstit të dytë t dëmshpërblimit financiar, prioritet do të kenë ish-të përndjekurit që janë mbi 65 vjeç apo ish-dënuarit politikë dhe familjarët e viktimave, të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht me gjyq ose pa gjyq, për motive politike, të cilët vuajnë sëmundje të rënda. Llojet e dokumentacionit, ku vërtetohet gjendja e rëndë e subjektit përfitues dhe procedurat e paraqitjes së tyre, përcaktohen me udhëzimin e përbashkët të ministrit të Financave dhe të ministrit të Shëndetësisë.

Ky vendim u referohet të dënuarve politikë, të cilët kanë vuajtur dënimin me burgim, izolim në hetuesi ose në Spital Psikiatrik, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, për familjarët e viktimave, të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht, me gjyq ose pa gjyq, për motive politike, nga data 30.11.1944, deri më 1.10.1991, si dhe për të dënuarit politikë, të cilët kanë vuajtur dënimin me internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954.

Dokumentacioni

Mënyra e plotësimit të dokumenteve dhe dorëzimi i tyre përbëjnë kriteret kyçe përs i takon rradhës së kompensimit financiar për ish-të përndjekurit politikë nga regjimi komunist. Ministria e Financave ndjek procedurat e pagesës vetëm pasi emir i ish-të dënuarit apo familjarit të tij është përfshirë në listën e VKM-së. Fondet ndahen në mënyrë të barabartë për të gjithë ish-të dënuarit dhe familjarët e viktimave të pushkatuara, me kusht që vlera e dëmshpërblimit gjatë fazës së parë të mos jetë më shumë se 1 milion lekë. i njëjti mekanizëm do të përsëritet një ose më shumë herë, deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit për të gjithë ish-të dënuarit/familjarët e viktimave, me kusht që në çdo rast pjesa takuese që kompensohet të mos jetë më e vogël se 100 mijë lekë.

Nëse përfituesit kanë një ankesë apo kundështi shumën që u është akorduar, atëherë ata duhet të depozitojnë me shkrim kërkesën e tyre. Ministria e Drejtësisë ndjek procedurën e informacionit për dosjet individuale deri në nxjerrjen e vendimit të Këshillit të Ministrave dhe dërgimin e tij me listat bashkëngjitur në Ministrinë e Financave për pagesë.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Komentoni »

Log in | Dizenjuar nga GSC