Miratohet udhëzimi për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore nga institucionet. Detyrimet dhe përfitimet

Qeveria miraton udhëzimin mbi mënyrën e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore përsa i takon detyrimeve monetare që institucionet buxhetore kanë ndaj palëve të tjera. Udhëzimi përcakton mënyrën e ekzekutimit  nga llogaria e thesarit, të detyrimeve monetare të njësive të qeverisjes së përgjithshme, që rrjedhin nga vendimet gjyqësore të formës së prerë. Njësitë e qeverisjes së përgjithshme janë përgjegjëse për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin prej tyre.

Udhëzimi i qeverisë vjen në një kohë kur me qindra vendime gjyqësore të formës së prerë nuk po zbatohen nga institucionet shtetërore, ndërsa zyrat përmbarimore janë të pafuqishme. Në këtë mënyrë prej vitesh vendimet e gjykatave janë shpërfillur nga institucionet e shtetit, të cilat në mbi 90 % të rasteve të refuzimit për zbatimin e vendimeve gjyqësore kanë nxjerrë si pretekst mungesën e fondeve.

Më poshtë po japim të plotë udhëzimin e miratuar në mbledhjen e qeverisë.

                                                                                U DH Ë Z I M   

PËR MËNYRËN E EKZEKUTIMIT TË DETYRIMEVE MONETARE TË INSTITUCIONEVE BUXHETORE NË LLOGARI TË THESARIT

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 589, të ligjit nr.8116, datë 29.3.1996, “Kodi i Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 43 e 54, të ligjit nr.9936,                  datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ky udhëzim ka si qëllim përcaktimin e mënyrës së ekzekutimit  nga llogaria e thesarit, të detyrimeve monetare të njësive të qeverisjes së përgjithshme, që rrjedhin nga vendimet gjyqësore të formës së prerë.

2. Njësitë e qeverisjes së përgjithshme janë përgjegjëse për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin prej tyre.

3. Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore realizohet nga njësia shpenzuese përgjegjëse:

a) Me fondet buxhetore, të akorduara në ligjin vjetor të buxhetit përkatës, për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore;
b) Nga të ardhura të tjera, të siguruara nga njësia e qeverisjes së përgjithshme, në bazë të legjislacionit përkatës, dhe të cilat shërbejnë si burime financimi për vetë njësinë (nëse ka).

4. Njësitë e qeverisjes së përgjithshme, çdo vit, parashikojnë fonde buxhetore të planifikuara për shpenzimet, që do të kryejë institucioni, për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

5. Në rastin kur njësia shpenzuese nuk ka ekzekutuar në mënyrë vullnetare vendimin gjyqësor të formës së prerë, sipas afateve të parashikuara në nenin 517, të Kodit të Procedurës Civile, përmbaruesi gjyqësor fillon procedurat e ekzekutimit të detyruar.

6. Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore, kur njësia shpenzuese nuk ka ekzekutuar, në mënyrë vullnetare, vendimin gjyqësor të formës së prerë, kërkohet të bëhet nga llogaria e tyre e thesarit. Llogari e thesarit, sipas parashikimeve të nenit 8, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, konsiderohet llogaria e unifikuar e thesarit në Bankën e Shqipërisë.

7. Përmbaruesi gjyqësor i kërkon titullarit të njësisë shpenzuese shlyerjen e detyrimit të rrjedhur nga vendimi gjyqësor i formës së prerë, në përputhje me procedurat dhe afatet e Kodit të Procedurës Civile. Nëse pagesa nuk bëhet, atëherë përmbaruesi mund të kërkojë vendosjen e masës së sekuestros.

Në rast se përmbaruesi gjyqësor kërkon vendosjen e masës së sekuestros, do të ndiqet procedura e mëposhtme:

a) Përmbaruesi gjyqësor i dërgon titullarit të njësisë shpenzuese dhe degës së thesarit:
i. Dokumentin që vërteton njoftimin e njësisë shpenzuese debitore për ekzekutimin vullnetar dhe të detyruar të detyrimit dhe marrjen dijeni nga ana e tij;
ii. Vendimin gjyqësor, i cili, në kuptim të nenit 510, të Kodit të Procedurës Civile, konsiderohet si titull ekzekutiv;
iii. Kërkesën/urdhrin e Zyrës së Përmbarimit për vendosjen e masës së sekuestros.

Dokumentacioni i parashikuar në shkronjën “a”, të kësaj pike, është, sipas rastit, origjinal ose i noterizuar, apo i vërtetuar “njësia me origjinalin” nga sekretaria e gjykatës.

b) Titullari i njësisë shpenzuese, brenda 5 (pesë) ditëve, i kërkon degës së thesarit pagesën e shumës së detyrimit nga llogaria e parashikuar në këtë udhëzim;
c) Dega e thesarit, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës nga titullari i njësisë shpenzuese, bën pagesën e detyrimit;
ç) Nëse titullari i njësisë shpenzuese nuk paraqet kërkesë brenda afatit të parashikuar në shkronjën “b”, të kësaj pike, dega e thesarit vendos masën e sekuestros në shpenzimet operative (artikulli buxhetor 602), të njësisë shpenzuese, në masën e vendimit gjyqësor të formës së prerë, por pa prekur shpenzimet e detyrueshme për funksionimin e institucionit, si: energji, ujë dhe materiale e shërbime speciale (artikulli 6021), të përshkruara në manualin e Shpenzimeve Publike, të publikuar nga ministri i Financave;
d) Masa e sekuestros hiqet, nga drejtuesi i degës së thesarit,:
–    në çastin e paraqitjes së një grafiku të pagesës së vendimit gjyqësor dhe shlyerjes pjesore të detyrimit, nëse njësia debitore nuk ka fonde të mjaftueshme në zërin e shpenzimeve operative të vitit buxhetor aktual, apo
–    kur ka vendim gjykate, për shtyrjen e afatit të ekzekutimit të detyrimit ose ndarjen e detyrimit në këste.

8. Në rastet kur njësia shpenzuese debitore, me fondet buxhetore që ka në dispozicion, nuk është në gjendje të shlyejë as një pjesë të detyrimit sipas vendimit gjyqësor, në bazë të nenit 517, të Kodit të Procedurës Civile, i drejtohet gjykatës për shlyerjen pjesore të detyrimit me fondet e vitit/viteve në vijim, duke bërë edhe njoftimin përkatës, pranë përmbaruesit gjyqësor.

Në rast pranimi nga ana e gjykatës, të kërkesës për ekzekutimin e pjesshëm të vendimit, njësia shpenzuese paraqet një kopje të vendimit të gjykatës në degën e thesarit, e cila merr masa dhe e regjistron si angazhim buxhetor të njësisë shpenzuese, të detyrueshëm për t’u zbatuar.

9. Njësia shpenzuese, me përparësi në vitet e ardhshme, planifikon fondet e nevojshme për shlyerjen e këtyre detyrimeve të mbartura, duke ndjekur procedurat përkatëse të planifikimit të fondeve buxhetore, të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore përkatëse. Këto parashikime i bëhen të njohura edhe njësisë së qeverisjes së përgjithshme nga e cila varet.

10. Në asnjë rast, nuk mund të vendoset masa e sekuestros mbi të ardhurat në burim të buxhetit të shtetit, pasi ato nuk janë fonde buxhetore të njësisë debitore.

11.Ngarkohen njësitë e qeverisjes së përgjithshme, degët e thesarit, dhe përmbaruesit gjyqësorë për zbatimin e këtij udhëzimi.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M i N i S T R I

SALI BERISHA

 

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Leave a Reply

Log in | Designed by GSC