Këshilli Bashkiak i Tiranës, KQZ rrëzon p/aktin për mandatet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi projektaktin për shpërndarjen e mandateve për Këshillin Bashkiak të Tiranës, me 4 vota pro dhe 2 kundër. Kodi Zgjedhor përcakton se votimi për shpërndarjen duhet të jetë me shumicë të cilësuar prej 5 votash.
Në fillim të mbledhjes, kreu i KQZ-së Arben Ristani duke iu referuar zgjedhjes së kryetarit të Bashkisë Tiranë, tha se KQZ i mbjijetoi një procesi të vështirë me kompetencë dhe profesionalizëm. Ndërkohë, sipas tij, nga shqyrtimi i Kolegjit Zgjedhor, vendimet e KQZ jane konsideruar të drejta dhe në bazë të ligjit.
Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i socialistëve Eridian Saliani deklaroi se në tabelën e paraqitur nuk ka vullnet zgjedhësish, duke vënë në dukje mosrakordimin e shifrave. “Nuk mund ta realizoni miratimin e kësaj tabele, pasi në asnjë pjesë të saj nuk duket vullneti i zgjedhësve”, tha Saliani. Ndersa shtoi se “KQZ u bë pjesë e manipulimit zgjedhor. Sot, vendimmarrja juaj është e fundit. E kryet mirë rolin tuaj në funksion të politikës dhe shkatërrimit të zgjedhjeve”. Ndërsa, duke marrë fjalën, përfaqësuesi ligjor i PD, Njazi Kosovrasti, tha se “Partia Socialiste duhej të ankohej për tabelat në Kolegjin Zgjedhor”. Tashmë Tirana e ka kryetarin e saj dhe për të njëjtën arsye, Bashkia do Këshillin që meriton, tha Kosovrasti.
Anëtarët socialistë në KQZ, duke diskutuar në parim aktin për ndarjen e mandateve për të cilën shprehën votën kundër. “Nuk kam qenë dakort që në fillim kam votuar kundër kësaj tabele dhe gjithe procesit të Tiranës se në bindjen time ligjore, juridike, është fakti se pasqyrimi i votave në kutinë e gabuar nuk mund të pasqyronin rezultatit”, tha përfaqësuesja e PS, Dëshira Subashi. Ajo solli në vëmendje zgjedhjet e vitit 2009, duke u shprehur se “së dyti, mos harroni vitin 2009 që rezultati u certifikua pasi të 7 anëtarët votuan pro rezultatit dhe në 2009 kam diskutuar, jemi në të njëjtën situatë, nuk jam dakort me rezultatin”. Duke iu drejtuar anëtarit tjetër të KQZ, përfaqësues të PD, Klemtn Zguri, ajo tha se “për t’i kujtuar kolegut që në këtë vendimmarrje, situatë, kolegu ka mbajtur të njëjtin qëndrim. Nuk e kam komentuar dhe është përgjegjësia e secilit në gjykimin që bën”. Mbledhja e KQZ u përfshi nga debate të shumta mes kryetarit të KQZ, Ristani, anëtarëve dhe përfaqësuesve të partive politike.
Në zgjedhjet e 8 majit, koalicioni Aleanca për Qytetarin siguroi mazhorancën e vendeve në Këshillin Bashkiak të Tiranës, me 28 këshilltarë, ndërsa koalicionit Aleanca për të Ardhmen, 27 këshilltarë.





