Rreziku i shkatërrimit të florës dhe faunës nga dora njerëzore dhe mungesa e ndërgjegjësimit

Për të mos thënë na ishte një herë…

Vend i pasur në florë dhe faunë, por shumë pak i njohur për shumëllojshmërinë dhe veçantitë që ofron. Kjo është Shqipëria, e cila mund të konsiderohet edhe si një ndër strehat e vetme në Europë të gjitarëve të mëdhenj, të cilët në pjesën më të madhe të Europës janë zhdukur. E megjithatë, mungesa e rezervateve për mbrojtjen e këtyre gjitarëve, mund të çojë në zhdukjen e tyre në vendin e njohur për shqiponjat e alpeve. Zhvillimi i ulët ekonomik përgjatë viteve, mungesa e gjatë e vëmendjes së shtetit, faktorët klimatikë, por edhe presioni human, konsiderohen si armiqtë kryesorë në zhdukjen apo minimizimin e shumëllojshmërisë në florë dhe faunë. Dikur në qytete kishte më shumë shpendë, ndërsa në zonat malore krahas dhive të egra dhe kapronjve, kishte shumë shpendë të egër si shqiponja, huta, skifteri. Sot ato janë më të paktë në numër, për të mos thënë se rreziku për zhdukjen e tyre është evident. Dikur Shqipëria njihej si vendi i koranëve, një peshk i rrallë që rritej në liqenin e Ohrit (Pogradec), ndërsa sot edhe ky lloj peshku është drejt zhdukjes. Por megjithatë, situata nuk është edhe aq e zymtë po të kihet parasysh që në vendin me sipërfaqen 28 mijë metra katror gjenden afro 84 lloje gjitarësh, 320 lloje shpendësh, 37 lloje reptilësh, 15 lloje amfibësh, 313 lloje peshqish (4 prej të cilëve endemike) dhe 3850 lloje insektesh (900 prej të cilëve flutura). Gjitarë të mëdhenj të rrallë si ariu, ujku, rrëqebulli, që janë zhdukur në pjesën më të mëdha të Europës, sot gjenden në Shqipëri, por pyetja që sot shtrohet është edhe përsa kohë ne do të mund të mburremi për ekzistëncën e tyre? Ky nuk është një alarm, por një paralajmërim që mund të shtrohet në kohën e duhur për të ndërgjegjësuar gjithkënd dhe që nesër askush prej nesh të mos përdorë shprehjen: na ishte nji herë një vend, në malet e të cilit mund të gjeje gjitarë të rrallë, apo na ishte njiherë një vend ku strehoheshin edhe shpendët migratorë, veçanërisht shpendët dimëronjës të ujit.

Faktorët shkatërrues

Si kudo në botë shkatërrimtarët kryesorë të faunës dhe florës janë kushtet klimatike dhe dora e njeriut. Por kjo në Shqipëri merr edhe një peshë më të madhe, për vetë faktin se politikat shtetërore për mbrojtjen e specieve të rralla nuk gjejnë zbatim. Ndotja e ujërave, përdorimi intensiv i burimeve natyrore si përdorimi i tokës, zënia e saj me ndërtime, përdorimi i bimëve mjekësore aromatike, shfrytëzimi pa kriter i pyjeve, gjuetia dhe peshkimi i papërgjegjshëm, kanë qenë dhe mbeten faktorë evidentë për shkatërrimin e një pasurie, që duhet të na bënte krenarë. E po kështu, ndikim negativ kanë zjarret në pyje dhe përmbytjet, ngricat apo thatësirat e tejzgjatura. E pavarësisht nga premtimi global për të zvogëluar shkallën e humbjes së biodiversitetit në mënyrë të konsiderueshme dhe një angazhim evropian për të ndalur atë plotësisht, tkurrja e tij vazhdon. Europa Jugore, përfshi Shqipërinë, ka përjetuar kushte të motit të thatë, me një rënie prej 20 % në krahasim me mesataren e shek. XX, e nga ana tjetër ngjarje ekstreme me reshje, e si pasojë përmbytje. Ndoshta ne mund të jemi ndër të paktët vende ku rezervatet qofshin ato edhe turistike nuk ekzistojnë, çka tregon se vëmendja shtetërore përgjatë viteve për mbrojtjen në terren të faunës dhe florës ose nuk ka ekzistuar ose ka qenë në nivele minimale. Alarmi i dhënë herë pas here nga ambientalistët duket se nuk mjafton, nese mbahet parasysh se gjithçka mbetet në kuadrin e fjalëve dhe në shumë pak raste, për të mos thënë në asnjë rast, nuk ka zbatim planesh dhe projekte konkrete.

Studimet

Prof. Dr. Idriz Haxhiu ka rreth 10 vite që hulumton faunën shqiptare dhe së bashku me ambjentalistë të tjerë kryen studime intensive bioekologjike për një popullatë breshkash detare në gjirin e Rodonit. Breshkat Detare përfaqësohen me numur të madh individësh nga lloji Caretta caretta, si dhe nga shumë pak individë të llojit Chelonia mydas, që janë markuar (targuar) sipas një programi të veçantë për Shqipërinë. Prania e breshkës detare në Shqipëri, sidomos e llojit C. caretta, përbën një rast me vlera të rëndësishme shkencore për shtegtimin e gjatë të këtij individi. Vitet e fundit shtegtimi i breshkave nga vendet e tjera në brigjet e vendit tonë ka ardhur në rritje, që lidhet me kushtet klimaterike. Prania shumë e madhe e gaforreve të llojit Carcinus mediterraneus dhe i kandilave të detit, Risostoma pulmo duhet të jetë e lidhur me prishjen e ekulibrave natyrorë në Gjirin e Rodonit, gjë e cila ka të bëjë me ngarkesën (ndotjen) e madhe organike që ka kjo zonë, e shkaktuar nga prurjet, sidomos të lumit Ishëm, pohojne ambjentalistët. Por, për mbrojtjen e kësaj specie të rrallë, sipas tyre, është i domosdoshëm edukimi i njerëzve, sidomos të peshkatarëve, të cilët jo pak herë i dëmtojnë. E po kështu, ndodh me koranin, specien karakteristike të Liqenit të Ohrit, mjaft të rëndësishëm në zonë nga pikëpamja ekonomike. Korani është peshku i ujrave shumë të pastra dhe ky është kushti kryesot për mirërritjen e tij. Por, peshkimi pa kriter, faktor negativ në prishjen e ekuilibrave natyrorë në Liqen, po çon drejt zhdukjes së koranit, species së rralla endemike në rajon. Koran peshkohet edhe në kohën e shumimit të tij, që është katastrofale për specien. Pas vitit 1992, në liqen peshkojnë me qindra peshkatarë në qytet, në zonën e Hudënishtit e në atë të Linit, në mjaft raste pa liçencë e pa asnjë kriter. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Inspektorati i Peshkimit ndaloi peshkimin gjatë periudhës së shumimit në liqenin e Ohrit (dhjetor-mars), duke sekuestruar mjetet te peshkimit dhe rrjetat e peshkatarëve duke peshkuar. Për mbrojtjen dhe ruajtjen e ekosistemit te biodiversitetit te Liqenit te Ohrit, eshte duke u zbatuar nje projekt prej dy milione dollaresh, financuar nga Banka Boterore.

Shpendët

Karabullaku i Vogël, një shpend i vogël, është lloj strikt i mbrojtur në Shqipëri dhe ai i përket tashmë kategorisë sëllojeve tepër të rrezikuar, sipas Librit të Kuq Shqiptar (2007), por dhe një lloj globalisht i kërcënuar dhe i listuar në disa konventa ndërkombëtare, si një lloj i një rëndësie të veçantë. Ky lloj gjendet në ligatinat shqiptare gjatë gjithë vitit, ndërsa numri më i madh vërehet në dimër me 900-3000 individë. Por, shqetësimi nga njeriu gjatë periudhës së folezimit është ndër faktorët kryesorë kufizues të pranisë së karabullakut të vogël folezues në Shqipëri. Kolonitë që gjendeshin në të kaluarën në Shqipëri janë zhvendosur në vendet fqinje. Sot karabullakët e vegjël, që shihen gjatë folezimit, bëjnë pjesë më tepër tek individët që përdorin territorin shqiptar si vend ushqimi. Ndërsa folezuesit janë zhvendosur në Malin e Zi (liqeni i Shkodrës ose lumi i Bunës), ose në Greqi në Liqeinin e Prespës së Vogël. Sipas një raporti në vitin 1998, lloji nuk folezon më në Shqipëri, ndërkohë kërkimet e fundit që i përkasin 2004 kanë treguar se llojet mund të folezojnë akoma në liqenin e Shkodrës me rreth 25 çifte folezues.
Kolonitë e mëparshme kanë qenë të gjitha brenda zonave të mbrojtura si në rezervatin e Velipojës dhe atë të Kune-Vain. Sot karabullakët e vegjël, që shihen gjatë folezimit, bëjnë pjesë më tepër tek individët që përdorin territorin shqiptar si vend ushqimi. Kompleksi Divjakë-Karavasta në Ultësirën  Prerendimore të vendit vazhdon të jetë një nga zonat më të  rëndësishme për shpendët e ujit , ndonëse pjesa më e madhe e tij është objekt i ndërhyrjeve negative nga aktiviteti i njeriut.

- Fauna -

Rrëqebulli i Ballkanit, çakalli, apo dhe ariu i murrmë, etj, klasifikohen lloje të kërcënuara, që meritojnë kujdes dhe vëmendje të veçantë. Arriu i murrmë është një ndër elementët më të çmuara të biodiversitetit shqiptar, duke luajtur dhe rol në mbrojtjen e tij. Por, kjo specie është e rrezikuar kryesisht nga veprimtaria e njeriut. “Përderisa arinjtë dhe  njerëzit popullojnë të njëjtën hapësirë lind nevoja për të siguruar bashkëjetesën mes tyre. Aty ku mungon kjo, habitatet natyrore të arinjve shkatërrohen dhe ata zhduken”, thonë ambjentalistët. Mendohet se popullata e ariut të murrmë në vend ka rënë ndjeshëm nga fundi i viteve ’80. Rrëqebulli i Ballkanit, i cili përfaqëson popullatën më të vogël dhe më pak të njohur autoktone në Europë, aktualisht, gjendet në katër shtete të rajonit ballkanik, Shqipëri , Mali i Zi, Maqedoni dhe Kosovë. Ndaj, implementimi i planit të veprimit për rrëqebullit ka nevojë të bashkërendohet në nivel më të gjerë. Masa mbrojtëse duhen marrë për të ruajtuar dhe shëruar ekosistemet e larta malore dhe pyjet e vjetër të virgjër të përzjerë që janë burime jetike për mbijetesën e rrëqebullit të Ballkanit. Specialistët pohojnë se “kur rehabilitimi në shkallë të gjerë i habitateve është i vështirë ose i pamundur, atëherë nevojiten korridorë linearë për të favoriazuar shpërndarjen brenda popullatës”. Specialistët rekomandojnë marrjen e masave për ndalimin e vdekjeve direkte të rrëqebulit nga veprimtaritë humane direkte, ose indirekte, si dhe për pakësimin apo ndalimin e vdekjeve natyrore përmes përmirësimit të cilësisë së habitatit në zonat rrëqebullmbajtëse. Ndër veprimet e rekomanduara janë ndalimi i tregtisë së rrëqebullit të balsamosur, përkrahja e zhvillimeve të përshtatshme në zonat malore, mbrojtja dhe restaurimi i rrëqebullit, rehabilitimi i gjahut natyror dhe mbrojtja e habitateve, ku rritet ky lloj, etj. Një rëndësi të veçantë në këtë drejtim merr dhe edukimi dhe informimi i publikut.
Edhe pse plani i veprimit eshte hartuar prej vitesh, ende nuk dihet se kur zbatimi i tij do të jetë efektiv dhe kur turistët do të mund të vizitojnë rezervatet natyrore me këtë specie të rrallë. Rrëqebulli i Ballkanit, pak i njohur dhe i studiuar, mendohet të jetë një nënlloj i veçantë i atij euroaziatik. Në vendin tonë, rrëqebulli popullon një zonë ekologjike prej më pak se 2500 kilometër katrorë. Rrëqebulli ka patur një rënie, që ka përsfhirë një humbje pej 60 % të territorit të shtrirjes midis viteve 1950 dhe 2006 dhe që ilustron shpejtësinë e zhdukjes së llojit. Në vitin 1950, bazuar në të dhënat, mendohet të kenë qeë në vend rreth 86 individë, në 1960, 61, në vitin 1970, 46, në vrin 1980, 40 individë, në vitin 1990, 27, në vitin 2000, 26, dhe në vitin 2006, 28 individë të tillë. Zonat më të pasura me çakall, specie e rrezikuar dhe që aktualisht takohet vetëm në zonën bregdetare të vendit, rezultojnë ato përreth grykëderdhjes së Shkumbinit dhe Erzenit. Në zonën Drini-Lezhë (Kune-Vaine), janë gjetur 3 deri në 5 individë; në zonën Erzen-Rrushkull, prania e çakallit është ndeshur me 13-23 individë; në Shkumbin (Karavasta-Spille), 32-42 individë; në Seman, 11-15 individë.

A mjaftojnë vetëm konventat?

“Për të frenuar kërcënimin ndaj llojeve të florës dhe faunës, janë marrë disa masa. Shqipëria tashmë është palë në Konventën e Biodiversitetit, e po kështu ka një paketë të plotë ligjore në fushën e natyres dhe te biodiversitetit, e cila po përafrohet me legjislacionin europian, vecanersihte me direktivat e habitateve dhe te shpendeve te eger ”, thotë Sajmir Hoxha, drejtor i Biodiversitetit në Ministrinë shqiptare të Mjedisit.
Vendi ka hartuar edhe një seri ligjesh për të mbrojtur florën dhe faunën, madje duke u vleresuar per hartimin e legjislacionit. Por sa e mjaftueshme është hartimi i një ligji të mirë, kur zbatueshmëria  e tij është në rastin më të mirë në kufinjtë minimal? Praktikat dhe faktet flasin se sot ligjet apo konventat në letra janë shumë larg realitetit.
Tani flora dhe fauna kanë nevojë për shpëtim, në mënyrë që nesër askush prej nesh të mos ndjehet fajtor për shkatërrimin e një pasurie, që shumë mirë mund të konsiderohet edhe si një burim zhvillimi për turzimin, malor apo detar qoftë.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Komentoni »

Log in | Dizenjuar nga GSC