Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut dhe OSBE-ja

Nga Eugen Wollfarth – Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka zgjedhur 10 Dhjetorin si një ditë të veçantë për të kremtuar veprimtaritë e saj në Shqipëri. Kjo datë shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe përzgjedhja e kësaj date, si ditë festimi, nuk është e rastësishme. Kjo ditë u shpall fillimisht si përvjetor i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, dokumenti i parë i rëndësishëm me fuqi detyruese në mbarë botën, rëndësia e të cilit është sot po aq e madhe sa ishte menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Globalizimi sjellë sfida të reja për shtetet, organizatat dhe individët, për sa i përket respektimit universal të të drejtave të njeriut. Por, nëse i kthehemi hyrjes së kësaj Deklarate, mbetet ende po aq aktuale thënia se “njohja e dinjitetit të lindur dhe e të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë”. Dokumenti më i njohur në këtë fushë është Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Shqipëria ka bërë përpjekje të admirueshme në drejtim të respektimit të plotë të kësaj Konvente, duke pasur parasysh në mënyrë të veçantë se parimet e saj janë pjesë e Kushtetutës së vendit. OSBE-ja, gjithashtu, ka një sërë angazhimesh në fushën e të drejtave të njeriut, ndër të cilët mund të përmendim Aktin Final të Konferencës për Siguri dhe  bashkëpunim në Evropë (1975), dokumentet e takimit pasues të vitit 1989, si dhe ato të Konferencave të KSBE-së për Dimensionin Njerëzor të viteve 1990 dhe 1991. Në këto dokumente, vendet pjesëmarrëse, përfshirë Shqipërinë, kanë rënë dakord që t’i përmbahen disa parimeve, përfshirë këtu respektimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e lirisë së shprehjes,  pararandalimin e torturës dhe trajtimin e barabartë të pakicave kombëtare. Në bazë të këtyre angazhimeve, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka punuar aktivisht për përmirësimin e mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Në momentin e mbërritjes së saj në Shqipëri, në vitin 1997, Prezenca gjeti një vend të mbërthyer nga trazirat, ku respektimi i të drejtave të njeriut përbënte një problem të madh në shumë fusha. Problemet më të mprehta, për sa u përket të drejtave të njeriut, kishin të bënin me trafikimin e qenieve njerëzore, shfrytëzimin e grave, të dënuarit me vdekje, kushtet e mjerueshme nëpër burgje, vështirësitë në ushtrimin e të drejtës së votës, dhunën në familje dhe mungesën e respektimit të të drejtave të fëmijëve. Pas thuajse 14 vjetësh, vendi ka bërë shumë përparime dhe shumë prej këtyre problemeve kanë marrë zgjidhje efikase. Miratimi i Kushtetutës së vitit 1998 jo vetëm shfuqizoi dënimin me vdekje, por edhe bëri të mundur themelimin e një institucioni të rëndësishëm për trajtimin e çështjeve të të drejtave të njeriut, Zyrën e Avokatit të Popullit. Përpara kësaj date, Prezenca i shqyrtonte vetë rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Ky proces përbënte një sfidë të vërtetë për Prezencën, duke qenë se personeli i saj, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, duhet të hetonte raste të veçanta. Situata ndryshoi me themelimin e Zyrës së Avokatit të Popullit. Kur filloi të funksiononte Zyra e Avokatit të Popullit pati nga ata që dyshuan nëse një organ i tillë do të pranohej nga publiku. Prezenca, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, e mbështeti Zyrën jo vetëm me asistencë ligjore, por edhe me trajnime dhe me ngritjen e kapaciteteve. Ky institucion e ka zgjeruar gradualisht fushën e punës së tij dhe ka treguar se është i aftë të trajtojë çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut. Edhe pse mbetet shumë për të bërë, Shqipëria ka treguar se ka bërë hapa përpara lidhur me adresimin e të drejtave të njeriut dhe tani po kalon nga çështjet e drejtave themelore të njeriut të një vendi në konflikt, në të drejta më specifike të qytetarëve në një vend që synon të arrijë standarde më të larta demokratike. Prezenca vazhdimisht ka pasur interes që të ndihmojë si autoritetet shtetërore, ashtu edhe shoqërinë civile në arritjen e etapave të rëndësishme për sa i takon të drejtave të njeriut. Me rëndësi të veçantë ishte miratimi i Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në datën 13 mars 2010. Objektivat e këtij ligji janë parandalimi dhe ndalimi i diskriminimit, ashtu si edhe zbatimi i të drejtës për barazi. Asnjë grua ose burrë nuk duhet të diskriminohet në bazë të racës, besimit fetar, këndvështrimit politik, aftësive të kufizuara, orientimit seksual apo në bazë të ndonjë statusi tjetër. Ky ligj jo vetëm që ofron mbrojtje, por ai u siguron të gjithëve mundësinë që të gëzojnë të drejtat e njeriut në mënyrë të barabartë.
Tashmë Shqipëria ka një Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi, përgjegjësia e të cilit është të sigurojë mbrojtje efektive nga diskriminimi. Kjo zyrë, ashtu sikurse veproi me shumë guxim zyra e Avokatit të Popullit 10 vjet më parë, po hap perspektiva të reja. Për t’u bërë një institucion efektiv, Komisioneri ka nevojë për mbështetjen e të gjithë aktorëve, në mënyrë që të jetë në gjendje të zbatojë parimin e barazisë në të gjitha shfaqjet e tij. Ndërsa Avokati i Popullit siguron mbrojtje për qytetarët përkundrejt organeve shtetërore, për herë të parë ka një institucion i cili siguron respektimin e duhur të të drejtave të njeriut të qytetarëve edhe në sferën private.
Duhet të shohim edhe sfidat me të cilat përballemi sot. Duhet të kemi parasysh fëmijët, të ardhmen e Shqipërisë. Për fat të keq në rrugët e shumë qyteteve të mëdha, ka fëmijë që shesin apo lypin në rrugë, ndërkohë që duhet të ishin në shkollë. Ka vajza dhe djem të cilët, duke mos shkuar në shkollë, bëhen lehtë pre e dhunës dhe abuzimit. Puna e fëmijëve dhe shfrytëzimi është sot një nga rastet më të mprehta të shkeljes së të drejtave të njeriut. Nuk duhen harruar edhe të miturit nën moshën 14 vjeç të cilët kryejnë krime. Edhe ata janë shpeshherë viktima, dhe në çdo rast të rrezikuar për të vazhduar jetën e krimit edhe si të rritur, kështu që është e rëndësishme që të zhvillohen forma reagimi ndaj sjelljes kriminale të fëmijëve si çështje e të drejtave të njeriut dhe jo thjesht si çështje e zbatimit të ligjit.
Nuk duhen harruar as njerëzit me aftësi të kufizuara. Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njerëzve me Aftësi të Kufizuara; tani është e nevojshme të ndërmerret hapi tjetër, ratifikimi i Konventës që do të sjellë ndryshimet në ligj. Për njerëzit me aftësi të kufizuara mungojnë edhe shërbimet në komunitet, që vjen si pasojë e mungesës së burimeve të përcaktuara për këtë qëllim. Kjo kërkon  bashkëpunim efektiv ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile. Një tjetër shqetësim është trajtimi i romëve. Shpeshherë ata kanë punë të paguara keq, ose nuk kanë fare punë. Romët, madje edhe ata të shkolluar mirë, hasen rrallë në pozicione të administratës publike apo në pozicione të tjera të rëndësishme.
Prezenca ka besim se Shqipëria është në rrugën e duhur për sa i përket respektimit të të drejtave të qytetarëve të saj dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi. Prezenca mbetet e gatshme ta ndihmojë vendin në përpjekjet e tij për trajtimin e këtyre çështjeve dhe të punojmë së bashku për një shoqëri më të mirë. Gjatë dekadave të shkuara është bërë shumë, gjithsesi mbetet ende shumë për të bërë. Duke e zgjedhur Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut si një ditë për të kremtuar punën e Prezencës, shpresojmë të vëmë në dukje rëndësinë jo vetëm të synimit për të arritur standarde më të mira në respektimin e të drejtave të njeriut, por edhe të punës së vazhdueshme për të arritur standardet më të larta të mundshme në çdo kohë.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Komentoni »

Log in | Dizenjuar nga GSC